
Taulant Balla
Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla thotë se krahasimi i dosjeve të 21 janarit apo Gërdecit me skandalin e ish zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal , ku përmendet dhe kryeministri Edi Rama nuk është aspak i vlefshëm.
Balla tha se në rastin e dosjes së ish zyrtarit të lartë nuk ka asnjë shqiptar të hetuar, aq më tepër Rama, siç opozita pretendon, e ndërsa thekson se në 21 janar dhe në Gërdec pati shqiptarë të vrarë, nga krime shtetërore.
“21 janari është çështja që duhet të flasim të gjithë, nuk gjej asnjë vlerë pse duhet të merremi me një fakt që një qytetar amerikan është vënë në hetim dhe në atë dosje nuk ka asnjë shqiptar të marrë në hetim, akuza nga ato që në Amerikë nuk shkojnë dot me not, Gërdeci dhe 21 janari janë 2 shembuj se si shteti vihet në funksion të interesave private të familjes, në rastin e Gërdecit. Qytetarët e humbën besimin, por që është rikthyer me ngritjen e SPAK, në momentin që del në provë e re dhe ne kërkojmë që kjo të merret në konsideratë, këtu mundohet të mbulojnë diellin më shosh dhe flasin për çështje që nuk ka asnjë impakt me atë që shqiptarët presin, ne presim që vrasësit e 21 janarit dhe Gërdecit të dalin para përgjegjësisë. Këtu janë vrarë njerëz, duan të ikin nga këto çështje dhe të qajmë hallin e drejtësisë amerikane dhe kjo tallje shkon deri aty sa edhe thirren protesta, në emër të kësaj talljeje”, tha Balla në Report Tv.
Ai ka komentuar edhe thirrjen e Shkëlzen Berishës në SPAK, duke thënë se nuk është një presion që po i bëhet Sali Berishës, po një tregues se drejtësia po funksionon.
“Nuk është presion, mendoj që drejtësia, për të gjitha çështjet që janë të pazbardhura duhet të bëjë punën e saj pa u ndikuar se i biri kujt është filani, apo babai i kujt është filani”, theksoi Balla .
Duke u ndalur te zgjedhjet e 14 majit, përtej bindes se do të fitojnë, Balla nuk zgjodhi të konfirmonte ose mohonte asnjë emër se kush do të jetë në gazë për Bashkitë e qarkut të Fierit, teksa nuk i kurseu vlerësimet për secilin prej tyre. Në këtë beteje elektorale, ai hodhi poshtë çdo mundësi për marrëveshje me parti të tjera, apo mes tyre PDIU, siç pretendohet. Balla tha se do të dalin të vetëm dhe do të fitojnë, pa asnjë dyshim.