Presidenti Ilir Meta ka mbështetur qendimin e homologëve të tij kosovare dhe malazez, Vjosa Osmani dhe Milo Gjukanoviç për të mos iu bashkuar Ramës në projektin e Ballkanit të Hapur.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Meta ka kërkuar që në këtë perjudhë plot sfida për paqen dhe sigurinë e bllokut, çdo iniciativë rajonale të fokusohet për të çuar para Procesin e Berlinit, duke refuzuar projektet paralele që kërkojnë të minojnë këtë iniciativë.
“I përkrah plotësisht qëndrimet e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç për ta çuar përpara bashkëpunimin gjithëpërfshirës rajonal, i vendosur më së miri në shtratin europian të Procesit të Berlinit.
Në këtë periudhë plot sfida për sigurinë dhe paqen në Europë duhet të qëndrojmë me vendosmëri besnikë të projektit strategjik të integrimit europian, duke refuzuar çdo shteg që del jashtë kësaj rruge.
Procesi i Berlinit siguron bashkëpunimin e hapur rajonal drejt BE, duke mbetur të pandikuar ndaj projekteve që duan ta minojnë apo rivalizojnë këtë perspektivë.
Sa më shumë Europë mes nesh, aq më shumë siguri, paqe dhe begati do të sjellë e ardhmja!”- shkruan Meta.
Vlen të theksohet se, presidenti malazez Milo Gjukanoviç ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë zyrtare në Prishtinë ku është takuar me homologen e tij, Vjosa Osmani. Në një deklaratë të përbashkët palët kanë hedhur poshtë “ofertën” e Ramës dhe liderëve të tjerë të rajonit për t’iu bashkuar tryezës së Ballkanit të Hapur e cila pritet të mbahet në qershor në Maqedoninë e Veriut.