Aktualitet 7 Qershor 2022, 08:17

Ballkani i Hapur/ Rama, Vuçiç dhe Kovaçevski takohen sot në Ohër, në samit për herë të parë merr pjesë edhe Mali i Zi (AXHENDA)

Shkruar nga Pamfleti
Ballkani i Hapur/ Rama, Vuçiç dhe Kovaçevski takohen sot

Ditën e sotme 7 dhe nesër  8 qershor do të mbahet samiti i Ballkanit të  Hapur në Ohër. Sipas medias serbe Tanjug, në samit do të jetë i pranishëm Presidenti serb Aleksandër Vuçiç i cili do të takohet  me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrin e e Shqipërisë, Edi Rama.

Gjithashtu janë planifikuar takime të veçanta me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Presidenti i Serbisë do të marrë pjesë në seancat plenare në fushën e turizmit dhe kulturës, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e arsimit, një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet administratave tatimore dhe një memorandum mirëkuptimi, citon Tanjug.

Gjithashtu i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Varhelyi do të japin nga një mesazh online.

Nisma Ballkani i Hapur kundërshtohet nga Kosova dhe Bosnje Hercegovina.

Ndërkohë kryeministri Albin Kurti u ftua nga homologu i tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në samit, por në një letër drejtuar Kovaçevskit nuk ka  konfirmim për pjesëmarrjen apo jo të tij në samitin e nismës ‘Ballkani i Hapur’.

Zyrtarët në Kosovë, në pushtet dhe opozitë, që nga fillimi i kësaj nisme kanë refuzuar që të bëhen pjesë e saj, duke argumentuar se një nismë e tillë është pa vizion dhe e rrezikshme.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se në këtë nismë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja” sesa si një nismë për treg të përbashkët rajonal.

Ndërkohë ju rikujtojmë se Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dje nuk mundi të udhëtonte drejt Serbisë, në një vizitë të planifikuar me 6 qershor për shkak se Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi i mbyllë hapësirat ajrore për aeroplanin.

Pas këtij lajmi aspak të mirë për Kremlinin, Lavrov  ka tronditur me deklaratat e tij në një konferencë për mediat.

Lavrov deklaroi se Ballkani i Hapur ishte një iniciativë serbe dhe se Rusia e mbështeste këtë pavarësisht kundërshtimeve të Brukselit.

“BE do që të aplikojë një projekt të quajtur Ballkani i Mbyllur”, tha Lavrov duke e cilësuar këtë një veprim kundër interesave ruse.

“Ne vlerësojmë nismat kurajoze të ndërmarra nga Serbia dhe Presidentit Vuçiç, i cili ka theksuar se nuk do të angazhohet në veprime kundër Rusisë, edhe pse BE do që vendet kandidate të rreshtohen në veprime rusofobike. Siç duket qartë, ata që lëvizin fijet në Bruksel nuk e duan këtë. Ata nuk duan që ne të mbështesin Beogradin, përfshi Ballkanin e Hapur. Duket qartë që ata që janë Bruksel, por edhe NATO  duan të aplikojnë në Ballkan projektin e Ballkanit të Mbyllur”, shtoi ai.

Kjo është një ndër deklaratat më të forta të bëra nga një shef diplomacie i huaj në lidhje me Ballkanin e Hapur ku Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë angazhuar seriozisht në implementimin e kësaj nisme.

Iniciativa “Ballkani i Hapur” aktualisht mbulon një zonë ekonomike dhe politike midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, që synon të nxisë mundësitë e tregtisë dhe shkëmbimit për rreth 12 milionë njerëz, si dhe të inkurajojë integrimin e të tre vendeve në Bashkimin Evropian.

Axhenda e samitit në Ohër:

Samiti nis me fjalët përshëndetëse të Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut; Aleksandër Vuçiç, President i Serbisë; Edi Ramës, Kryeministër i Shqipërisë Dritan Abazoviç, Kryeministër i Malit të Zi.

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve

▪ Marrëveshja për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe notave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe të tjera institucionet e autorizuara

▪ Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e turizmit në Ballkani Perëndimor

▪ Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin kulturor në Ballkanin Perëndimor

▪ Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin e administratave tatimore në Ballkanin Perëndimor

Kryesore #Ballkani i Hapur #Ohër #Rama #Vuçiç