Ekonomi 3 Gusht 2022, 17:20

Banka e Shqipërisë çon në 1.75 për qind normën bazë të interesit: Rritja e çmimeve do të vijojë

Shkruar nga Pamfleti
Banka e Shqipërisë çon në 1.75 për qind normën

Rritja e çmimeve në Shqipëri do të vijojë.  Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se inflacioni në vendin tonë do të mbetet në nivele të larta përgjatë vitit 2022

Në një konferencë për mediat, ai u shpreh se inflacioni pritet të nisë uljen përgjatë vitit 2023, por në varësi të situatës së çmimeve në tregjet e huaja. Nga ana tjetër, ai informoi se Këshilli Mbikëqyrës i BSH ka vendosur që norma bazë e interesit të rritet edhe me 0.5 për qind, duke shkuar në 1.75 për qind.

Rritja ekonomike do mbetet pozitive në afatmesëm. Inflacioni parashikohet të qëndrojë në nivele të larta gjatë 2022. Stabilizimi i çmimeve në tregun e huaj, do ulë presionin ndaj inflacionit në vend. Inflacioni parashikohet të kthehet në 3% në gjysmën e parë të vitit 2024. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, vendosi të rrisë me 0.5% normën bazë të interesit nga niveli i 1.25% në 1.75%. Të rrisë me 0.5% normën e interesit të depozitës njëditore”, tha Sejko.

Guvernatori shpjegoi se, trendi rritës i inflacionit ka pasqyruar, në masën më të madhe, ndikimin e goditjeve të ofertës së huaj. Megjithatë, përcjellja e tyre në ekonominë shqiptare është favorizuar nga kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, dhe nga rishikimi për lart i pritjeve për inflacionin. Ecuria e inflacionit në të ardhmen do të varet nga dinamikat dhe ndërveprimi i këtyre faktorëv.

Çmimet e konsumit shënuan rritje të mëtejshme në tremujorin e dytë. inflacioni shënoi rritje progresive gjatë kësaj periudhe, duke kulmuar në nivelin 7.4% në muajin qershor. Baza e presioneve inflacioniste ka ardhur në zgjerim. Rritja e inflacionit pasqyroi kryesisht çmimet më të larta të artikujve ushqimorë, të naftës dhe të transportit. Megjithatë, rritja e çmimeve ishte e pranishme në një kategori të gjerë produktesh, duke ilustruar përcjelljen e goditjeve të ofertës edhe në çmimet e artikujve të tjerë të shportës“, tha ai.

Ekonomi çmime norma e interesit Sejko