Aktualitet29 Janar 2023, 13:30

Barbaria e akuzave të ndërsjellta dhe urrejtja qytetare!

Shkruar nga Pamfleti
Barbaria e akuzave të ndërsjellta dhe urrejtja qytetare!

Nuk ka një vend të dytë në Europë që ta ketë zhvleftësuar fjalën politike aq sa vendi ynë. Dendësia e akuzave ka një frekuencë të pakapshme nga çdo lloj sizmometri.

Shkruan Agron Gjekmarkaj

Ashpërsia e tyre është e pa konkurrueshme. Aktorët janë gjithmonë të njëjtët. Çdo risi bëhet e vjetër. Çdo i ri konformohet. Secila prej betejave duket e gabuar. Çdokush ndihet gjykatës dhe verdikti nuk arrin kurrë. Ai rri pezull në ajër si zemërim i cili rrallë herë  përdoret mire.

Vërtetësia e pëson gjithmonë. Gjuha si vërshim ujerash të zeza i bën të gjithë pis.

Në të njëjtën kohe shërben si strategji relativizimi që asgjë të mos merret seriozisht.

Gjithsesi ndodh e largon qytetarin nga politika. Bëmat i heqin atij respektin dhe besimin ndaj e në të. Ato i bëjnë ta shohin shtetin si armik, si strehë shushunjash , politikanin si pufte!

Në bazë të interesit personal gjykohet tjetri. Nga frëngjia e tij thërritet për ndihmë, për betejë, për kauze. Nëse e pranon thirrjen  je mik, je shok, je vlere nëse jo je i përdorur, i shantazhuar, i kapur prej dikujt dhe për diçka. Kur nuk rreshtohesh si ushtar je me i zi se djalli, kërmë për urinë e një turme të manipuluar.

Çdo njeri bën si lojtar duke e menduat tjetrin me pak të mençur ose leshko që mund t’ia hedhesh ore e çast.

Insinuata mbretëron si zogu në qiell.

Flitet për parime, për etike për moral kur e gjitha është një tautologji në shërbim të vetes. Kështu thanë për ty e ndien çdo ditë si gjysmë e vërtetë ose dëshirë për të përdorur ndaj tjetrit. Hilja, inati, shfrimi janë karburanti i motorëve të urrejtjes. Po njerëzit, qytetarët ku janë këtu ? Askund! Ata duhen për gjyle në topat të cilët qëllojnë pa pushim mbi murin pengesë për ambicien. Si përgjigjen ata? Shumë ikin larg pa kthim. Mjaft sish bëhen indiferent. Disa shtojnë përbuzjen. Një pjesë radikalizohet, rreshtohet do të mbajë çka me çdo mjet, të tjerë të rimarrin ç’paten.

Pështyma e tyre bie mbi atë që ecin rrugës për mes indiferente duke respektuar veten e tyre. Vendi herë pas herë kërcënohet me të dridhura për të mbrojtur vlerat e tij më të mira apo për të mposhtur të keqen hajde gjeje.

Forum agron gjekmarkaj