
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka dalë kundër rikthimit të ish-kryeministrit Sali Berisha në krye të partisë. Pas largimit të Lulzim Bashës ka nisur një debat mbi pasardhësin, pasi grupi parlamentar ka vënë si vijë të kuqe largimin e Berishës.
Duke folur në “News 24”, Bardhit tha se Berisha duhet t’i zgjidhë vetë problemet që ka me SHBA dhe nuk ka pse të përdorë Partinë Demokratike. “Zoti Berisha është i përjashtuar, nuk është anëtar i grupit parlamentar të PD dhe zoti Berisha për fatin e keq të PD, të demokratëve dhe të tij personal ka një problematikë me SHBA-në”, tha ai.
Bardhi u shpreh se tashmë ka ardhur koha që Berisha të mbajë fjalën e dhënë kur u shpall “non grata” që nuk do e përfshijë partinë në problemet e tij. “Zoti Berisha është zotuar që nuk do e përziejë PD në problemin që ka me PD dhe ky është momenti për ta provuar. Gjatë këtyre 6 muajve e ka përfshirë dhe ky është moment që të bëhet si akt politik, të mos e përfshijë PD në problemin personal me SHBA-në. Kjo çështje duhet zgjidhur vetë nga zoti Berisha. Ata janë ftuar për të qenë pjesë e një grupi të përbashkët pune, pa paragjykuar asnjë”, tha ai.