Aktualitet31 Gusht 2018, 18:54

Basha betohet para Berishës e Metës se nuk do bëjë më pakt politik me Ramën, Monika kërcënon me mbështetjen e Veliajt p

Shkruar nga Pamfleti
Basha betohet para Berishës e Metës se nuk do bëjë më

Basha betohet para Berishës e Metës se nuk do bëjë më pakt politik me Ramën, Monika kërcënon me mbështetjen e Veliajt për Tiranën

Lul Basha po përpiqet me të gjitha mjetet për ta mbajtur drejtimin e PD, që i është rrezikuar fort nga dyshja Berisha-Meta. Dhe “divorci” me Ramën bën pjesë tek përpjekjet e Bashës për t’i mbushur mendjen kësaj dysheje drejtuese se ai është kundër paktit me kryeministrin

Lulzim Basha është bërë i pabesueshëm jo vetëm në sytë e demokratëve të thjeshtë që kërkojnë medoemos ringritjen e PD dhe largimin e Ramës nga pushteti, por dhe për liderin historik të kësaj partie Sali Berisha dhe aleatin e tij Ilir Meta.

Teksa është akuzuar për “flirtet” e tij me Ramën, nga 17 maji 2017 kur arriti marrëveshjen për disa poste ministrore dhe drejtorë të rëndësishëm e deri tek vendimi për të marrë nga buxheti i shtetit 13.1 milionë eurot e pallatit të shembur të vjehrrit, Basha po përpiqet të rikuperojë besueshmërinë, sidomos tek Berisha dhe Meta.

Njëherësh bashkë me arritjen e besueshmërisë, Basha shpreson se mund të arrijë dhe ruajtjen e postit të kryetarit të PD, pas “eriozionit” që po i shkaktohet dita ditës nga kjo dyshe drejtuese.

Dhe ka zgjedhur pikërisht ditën e sotme për t’u betuar publikisht para Berishës dhe Metës se nuk do të bëjë kurrë pakt politik me Edi Ramën dhe për këtë duhet të jenë të sigurtë.

Kreu i Partisë Demokratike, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët në selinë e PD-së e bëri të qartë se nuk do të ketë më pakt politik me Edi Ramën dhe më shumë se sa për gazetarët ka folur për ish kryetarin e PD si dhe Presidentin aktual.

“Të jemi fare të qartë: nuk ka as bashkëqeverisje me Edi Ramën dhe as pakt politik me të”, tha Lulzim Basha, duke përgënjeshtruar lajmin se PS e PD kanë arritur pakt për reformën zgjedhore.

“Synimi im dhe i Partisë Demokratike është që t’i japim fund qeverisë së lidhur me krimin”, tha Basha.

Kreu i PD iu kthye sërish sulmit ndaj gazetares Klodiana Lala, duke thënë se “një sulm i tillë bëhet vetëm kur krimi ka mbështetje politike”.

Duke e mbështetur deklaratën e tij në akuzat që bën ndaj Ramës për lidhjen e tij me krimin, Basha e ka garantuar dyshen Berisha-Meta se nuk ka asnjë gjasë që të ketë pakt politik me një kryeministër të inkriminuar.

Por Ilir Meta është treguar më i kujdesshëm dhe si gjithnjë vepron qartë në favor të përfitimeve të tij personale nga politika.

Përmes bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, që e ka lënë administratore të LSI, Meta ka filluar “flirtet” me Ramën për aleanca të pjesshme me PS. Dhe ka zgjedhur Tiranën për ta bërë një aleancë të tillë, duke deklaruar indirekt se mbështet Erion Veliajn në garën për kryetar bashkie.

Kështu, Kryemadhi ka ripërsëritur që nga mbrëmë faktin se opozita do të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale, por që ende s’ka diskutuar për kandidatin për bashkinë Tiranë.

“Opozita e bashkuar do të dalë bashkë në zgjedhjet e ardhshme e as që po punon për të gjetur kandidatin fitues për bashkinë e Tiranës, por e rëndësishme është platforma jonë e përbashkët për uljen e taksave që janë çdo dite e më shumë që i marrin frymën shqiptarëve, uljen e varfërisë dhe ofrimin e një shërbimi me cilësi më të lartë”, deklaroi Kryemadhi.

Pra kryetarja e LSI është shprehur se nuk ka nisur dhe nuk është diskutuar asnjë emër për bashkinë e Tiranës me Lulzim Bashën, duke lënë për të kuptuar se mund të ketë aleanca me PS, qoftë dhe për Tiranën për të mbështetur Veliajn.

Ky është një sinjal i qartë për Lulzim Bashën që të shohë dhe njëherë listën me 22 bashkitë që LSI pretendon ti përfaqësojë në garën për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.

Monika dhe pas saj Meta ka kanë vendosur t’i lëvizin të gjithë “gurët” politikë në funksion të maksimalizimit të votave në zgjedhjet vendore, pas rënies drastike që ka pësuar LSI jashtë pushtetit.

Ndërsa Lulzim Basha po përpiqet me të gjitha mjetet për ta mbajtur drejtimin e PD, që i është rrezikuar fort nga dyshja Berisha-Meta.

Dhe “divorci” me Ramën bën pjesë tek përpjekjet e Bashës për t’i mbushur mendjen kësaj dysheje drejtuese se ai është kundër paktit me kryeministrin./Pamfleti

Kryesore Basha betohet para Berishës e Metës se nuk do bëjë më pakt politik me Ramën Monika kërcënon me mbështetjen e Veliajt për Tiranën