Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sërish pas konferencës për media që mbajti sot për prezantimin e amendimeve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha ka ndarë një pjesë nga fjala e tij, ku thekson se kushdo që e meriton, duhet të largohet nga politika; nuk ka rëndësi a është demokrat, socialist apo i ndonjë partie tjetër.
‘Çdo alibi nxjerr zbuluar qëllimin e tranzicionit për ta mbajtur peng Shqipërinë’– ka thënë më tej Basha.
A është ky një mesazh indirekt për ish-kryeministrin Sali Berisha?
“I lind detyrimi që të dalin haptas para shqiptarëve. Duke pranuar këto propozime i mbyllim derën tranzicionit me vetëdijen se kushdo që meriton të largohet nga politika duhet të largohet nga politika, nuk ka rëndësi demokrat, socialist apo të ndonjë partie tjetër.
Çdo alibi vetëm sa nxjerr zbuluar qëllimin e llumit të tranzicionit për ta mbajtur Shqipërinë peng të një klase të ndryshkur dhe të dalë nga vetja. Ne refuzojmë të jemi pjesë e asaj klase. Nuk ka masakër zgjedhore të na heqë ne nga misioni i zhvillimit. Ndryshimi do bëhet me çdo kosto”, tha ndër të tjera Basha.