Kreu i PD-së Lulzim Basha gjatë intervistës në emisionin “Real Story” tha se vendimi për shpalljen “non grata” të Sali Berishës, nuk është i një ambasadori por i qeverisë amerikane.
Kryedemokrati tha se procesi i shpalljes “non grata” nuk niset nga DASH dhe se Sekretari i Shtetit ka zero diskrecion nëse informacionet vijnë nga agjencitë ligjzbatuese.
“Jam plotësisht me atë që thotë Lubonja, nuk mund të ketë kult ambasadorësh, aty ku ka bindje që interesat kombëtare cenohen është detyrë jo vetëm e kryetarit të opozitës por edhe qytetarit të thjeshtë të çohet për interesant kombëtare. Nuk bëhet fjalë për një vendim të një ambasadori por të qeverisë amerikanë, me të cilën jemi të detyruar të hyjmë në komunikim për të kuptuar si merren këto vendime. Një proces 3 muajsh ku kam investuar energjitë, kapitalin personal për të gjetur një zgjidhje të pranueshme. Procesi për shpalljen non grata nuk niset nga DASH, por finalizohet nga sekretari i shtetit, i cili ka zero diskrecion nëse informacionet vijnë nga agjencitë ligjzbatuese.
Nuk është dënim është shpallje non grata. Është kërkuar largimi apo distancimi i PD-së nga Berisha, është kërkuar edhe largimi i tij nga Parlamenti. Ndërsa vendimi im ka qenë pezullimi nga Grupi Parlamentar deri në përfundimin e gjyqit që Berisha ka nisur. A nuk kanë qenë këta ambasadorë që thanë topi është në derën tende. Në 5 qershor edhe aleatët e mi ishin dorëzuar dhe donin depolizimin e administratës zgjedhore. Shumë demokratë që kam takuar më kanë thënë që nuk u besojnë veshëve kur dëgjojnë se Sali Berisha më sulmon mua, sekretarin e përgjithshëm, këdo që nuk mendon si ai. Më thonë pse nuk i përgjigjesh, pse nuk e sulmon. Pas 9 shtatorit unë jam i shitur, jam poliagjent, kësaj kulture duhet ti vijë fundi”, tha Basha.