
“Bashkë luftuam, djersitëm dhe fituam”, ja i gjithë rrugëtimi i Tomas Strakoshës me Lacion
Mungon vetëm zyrtarizimi, pasi Strakosha do transferohet te Fulhami që do luajë sezonin e ardhshëm në Premier Ligë. Ditën e sotme, Laczio ka postuar në rrjetet sociale foto nga momentet e fundit, ku shkruan: “Bashkë luftuam, djersitëm dhe fituam. Faleminderit”.
Tomas Strakosha mbërriti te Lacio në vitin 2012 nga grekët e Panioniosit për 75 mijë euro, për t’u bërë portieri i parë i ekipit Primavera. Në sezonin 2012- 2013 ai ka qenë në stol me skuadrën e parë, ndërsa në vitin 2015 u huazua te Salernitana në Serinë B. Kthehet një vit më vonë dhe me dëmtimin e Marketit dhe ikjen e Etrit Berishës tek Atalanta, Strakosha debuton me Lacion më 20 shtator kundër Milanit dhe ndeshjen e fundit e luajti të shtunën kundër Veronës.
Në gjashtë vite si portieri i ekipit të parë të Lacios, që nga shtatori i vitit 2016, Tomas Strakosha arriti të mbronte portën e “Shqiponjave” për 207 ndeshje, me një total prej 18.644 minutash. Gjithsej ai ka pësuar 244 gola dhe ka arritur të mbajë të paprekur portën në 62 takime. Është ndëshkuar 15 herë me karton të verdhë, ndërsa e veçanta është që portieri nuk është ndëshkuar asnjëherë me karton të kuq.
Në karrierën e tij me klubin kryeqytetas, Tomas Strakosha ka fituar një kampionat dhe një Kupë të Italisë me ekipin e Primaverave, përkatësisht në sezonet 2012- 2013 dhe 2013-2014, ku ishte titullar i padiskutuar. Ndërsa me skuadrën e parë të Lacios ai është fitues i këtyre trofeve: 2 Kupa të Italisë më 2012-2013 dhe 2018-2019 dhe dy herë Superkupën e Italisë në sezonet 2017-2018 dhe 2019-2020. Në total ka fituar 6 trofe.