Bota14 Gusht 2022, 19:29

Bashkëpunimi hapësinor mes Rusisë dhe Iranit alarmon Perëndimin

Shkruar nga Pamfleti

Më 9 gusht Rusia lëshoi me sukses një satelit iranian në hapësirë, një veprim që ngriti shqetësime në Perëndim. Zyrtarët amerikanë i druhen faktit se sateliti mund të përdoret nga Moska për të rritur kapacitetet e saj të inteligjencës në Ukrainë, të cilën ajo e pushtoi në shkurt.

Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se sateliti do t’i sigurojë Iranit “aftësi të paprecedent” për të monitoruar objektivat e mundshëm ushtarakë në Izrael, armikun e tij të betuar dhe në vende të tjera në rajonin e gjerë të Lindjes së Mesme.

Teherani i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke thënë se Irani do të ketë kontroll të plotë mbi satelitin “që nga dita e parë”. Irani ka thënë se sateliti skanues do të përdoret vetëm për qëllime civile, përfshirë monitorimin e zonave kufitare, vëzhgimin e burimeve ujore dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore.

Lëshimi në hapësirë i satelitit është treguesi më e fundit i thellimit të marrëdhënieve ndërmjet Iranit dhe Rusisë. Kjo u bë vetëm disa javë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, vizitoi Teheranin, ku ai dhe lideri suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, u zotuan të punojnë së bashku kundër Perëndimit.

Të dy vendet janë goditur nga sanksionet perëndimore dhe izolimi ndërkombëtar.

Kreu i korporatës shtetërore ruse të hapësirës “Roskosmos”, Yuri Borisov, e përshëndeti nismën si një “pikë referimi e rëndësishme” në bashkëpunimin ndërmjet Moskës dhe Teheranit.

Ministri iranian i Telekomunikacionit, Issa Zarepour, i cili mori pjesë në lëshimin e satelitit në Kazakistan, e vlerësoi atë si një ngjarje “historike” dhe “një pikë kthese” në bashkëpunimin hapësinor mes dy vendeve.

Lëshimi i satelitit ka vënë gjithashtu në qendër të vëmendjes programin hapësinor të Iranit. Në vitet e fundit, Teherani ka lëshuar disa satelitë në orbitën e ulët të Tokës dhe ka bërë të ditura planet për të dërguar astronautë në hapësirë. Por, Irani është përballur gjithashtu me një sërë aksidentesh dhe lëshime të dështuara satelitore në vitet e fundit.

John Krzyzaniak, një analist hulumtues në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, tha në qershor se satelitët iranianë nuk kanë mjete të avancuara, por ata përfaqësojnë “hapat e parë drejt satelitëve më të sofistikuar që do të jenë më të dobishëm dhe do të qëndrojnë në orbitë për periudha më të gjata”.

Lëshimi i suksesshëm në hapësirë i satelitit Khayyam nga ana e Rusisë, i quajtur sipas poetit dhe filozofit persian të shekullit XI, Omar Khayyam, mund të përkeqësojë tensionet me Shtetet e Bashkuara. Vetëm gjatë muajit të kaluar, Uashingtoni pretendoi se Teherani po përgatitej të dorëzonte qindra dronë luftarakë në Rusi, të cilët do të përdoreshin në luftën në Ukrainë.

“Thellimi i aleancës mes Rusisë dhe Iranit është diçka që e gjithë bota duhet ta shohë si një kërcënim serioz”, citohet të ketë thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit më 9 gusht.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur prej kohësh shqetësime mbi programin hapësinor të Iranit, i cili ka qëllim për përdorim civil dhe ushtarak. Shtetet e Bashkuara druajnë se Teherani mund ta përdorë programin për t’i rritur kapacitetet e tij të raketave balistike.

Javën e kaluar negociatorët amerikanë dhe ata iranianë zhvilluan një rund të ri bisedimesh në Vjenë në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore.

Ditë më vonë, Bashkimi Evropian paraqiti atë që e cilësoi si “tekstin përfundimtar”. Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se “çfarë mund të negociohej është negociuar”.

BE-ja, e cila ka ndërmjetësuar bisedimet indirekte ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ka paralajmëruar se palët kanë vetëm disa javë për të nënshkruar marrëveshjen.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së tha se Uashingtoni ishte gati të “përmbyllte sa më shpejt një marrëveshje” bazuar në tekstin e BE-së. Irani ka bërë të ditur se teksti i BE-së është përfundimtar dhe i panegociueshëm.

Është e paqartë nëse Irani do të pajtohet me tekstin e BE-së. Por, Teherani ndodhet nën presion të vazhdueshëm, ndërsa perëndimit po i soset durimi pas më shumë se një viti negociatash të lodhshme.

Me sa duket ka vetëm një çështje kyçe për t’u zgjidhur. Sipas informatave, Irani dëshiron që agjencia bërthamore e OKB-së të tërheqë hetimin e saj mbi origjinën e materialit bërthamor të gjetur në tri lokacione të padeklaruara në Iran.

Teherani, gjithashtu, po përballet me presion të brendshëm, pas disa muajsh protesta mbi një ekonomi të rënduar dhe të gjymtuar nga sanksionet e SHBA-së. /REL

Bota hapesinor Iran Kinë SHBA