Aktualitet 1 Shtator 2022, 11:47

Bashkëpunoi me ish-Sigurimin e Shtetit, Ilir Meta kallëzon penalisht Autoritetin e Dosjeve: Manipuluan faktet për llogari të Edi Ramës!

Shkruar nga Pamfleti

Ashtu sikurse kishte paralajmëruar, Ilir Meta ka kallëzuar penalisht Autoritetin e Dosjeve pasi doli si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Meta shkruan se ka “kallëzuar penalisht anëtarët e Autoritetit të Dosjeve për shkeljet e rënda dhe të qëllimshme që i kanë bërë ligjit organik për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, për manipulimet dhe falsifikimet flagrante në shërbim të shantazhit politik, për llogari të Edi Ramës.”

Kallëzimi penal për Gentiana Sulën, Albert Nikollën, Altin Hoxhën, Gjergj Markun dhe Skënder Vrionin u bë me pretendimin se kanë falsifikuar dokumentet shtetërore, kanë bërë falsifikim kompjuterik, kanë falsifikuar vulat, stampat apo formularët, kanë shpërdoruar detyrën, kanë përhapur informata të rreme që ngjallin panik si dhe kanë zbuluar akte ose të dhëna sekrete. Meta i kërkon SPAK dhe prokurorisë së Tiranës një hetim i plotë, objektiv dhe i pavarur brenda një afati sa më të shpejtë.

“Anëtarët e AIDSSH-së, në shpërdorim të pastër të funksionit publik janë kthyer në vegla për të stisur dhe ekzekutuar një sulm politik të shëmtuar me pasoja të rënda edhe për besimin e publikut në institucionet shtetërore dhe funksionimin e shtetit të së drejtës”, shkroi Meta në kallëzim duke shtuar se është i hapur për bashkëpunim në lidhje me hetimet. Për më tepër detaje, ish-presidenti njoftoi se do të zhvilloj një konferencë shtypi në orët në vijim.

Vlen të theksohet se, Autoriteti i Dosjeve iu drejtua me një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për të ndryshuar ligjin mbi dosjet në vend, pasi favorizon politikanët e lartë dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, të cilët nuk ndëshkohen nga të qenit bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Shkak për këtë, sipas Autoritetit, është bërë identifikimi i një politikani të profilit të lartë politik, me inicialet I.M, si pjesë e Sigurimit në kohën e komunizmit. Nisur nga inicialet pati aludime se bëhej fjalë për Ilir Metën. Menjëherë pas kërkesës së Autoritetit të Dosjeve u vendosën në lëvizje socialistët. Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla njoftoi se mazhoranca ka depozituar në Kuvend dy nisma për Kodin Zgjedhor dhe për dosjen e ish Sigurimit, qëllim heqjen e pengesave për shqyrtimin e pastërtisë së figurës të personave të cilët kanë mbajtur deri tani poste shumë të larta, çka prek indirekt Metën dhe Berishën.

I frikësuar nga kjo lëvizje e socialistëve, Meta përveç mohimit të ketë qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, gjatë një dalje publike mesditën e 22 gushtit, paralajmëroi padi ndaj Autoritetit të Dosjeve. Sipas kreut të Partisë së Lirisë, për të nuk ka ekzistuar kurrë asnjë dosje.

“Më 1 shtator do të padis penalisht Autoritetin e Dosjeve për manipulim dhe falsifikim të qëllimshëm. Këto përralla dhe lojëra nuk funksionojnë me Ilir Metën. Autoriteti Dosjeve po përdoret në mënyrë kriminale. Po cenohet privatësia e një qytetari për interes të Edi Ramës. Frika e Edi Ramës, sepse nuk e blen dot opozitën dhe nuk trukon dot ndeshjen përpara. Rast skandaloz i përdorimit të metodave të Sigurimit të Shtetit”- do të shprehej Meta, duke insistuar fuqishëm se: “Nuk ekziston dhe s’mund të ekzistojë asnjë dosje për Ilir Rexhep Metën dhe kot lodhen dhe institucionet shtetërore duhet të merren me çështjen e inceneratorëve. Lidhur me ëndrrën e fundit të pjellave më të neveritshme të ish-sigurimit dhe partisë së Kristaqit dhe Kolekës, ju them se në 1 shtator do të padis penalisht autoritetin e manipulimit të dosjeve për shkelje.”

“I.M do të dalë spiuni ambulant Tao Tao. Një kameleon në shërbim të atij që i ofron një tender. Ky rast i autoritetit do të jetë një rast sesi keqpërdoret në mënyrë kriminale një autoritet”- deklaronte Meta.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Kryesore Autoriteti i Dosjeve Meta Rama