
Ky Bungoja përkundër asaj çka i dikton mosha, që ul grykësitë dhe pastron ndërgjegjen, vijon të jetë oreks-hapur, i pangopur. Edhe pse mbush portofolin me një pagë fantastike si kryetar Këshillit Drejtues, 81-vjeçari Bungo është tutor edhe i një emisioni të ideuar prej tij…
Shkruan Arbër Korabi
Shpresohej që hetimi, arrestimi dhe dënimi me burg i Thoma Gëllçit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Publik Shqiptar (RTSH) do të ndikonte në frenimin e urisë për të përvetësuar para të pameritueshme të dala nga buxheti i publikut të gjerë, me miliardat e të cilit mbahet ky institucion i katandisur kockë e lëkurë mirëpo kjo s’ka ndodhur.
Pasi muaj më parë Këshilli Drejtues i RTSH, me qind-flamurshin partiak, 81-vjeçarin Leka Bungo kryetar, miratoi ngritjen e pagave të anëtarëve të këtij Këshilli, pjellë e politikës maxho-opozitare, edhe pse nuk bëjnë asgjë veçse dredhin zinxhirët e prishin punë, me ta janë bashkuar dhe “shefat” me ushtarët e tyre, që për çdo muaj paguhen duke firmosur 3, 4, 5 bordero. Ca nën dorë e ca mbi dorë, pa droje fare.
Ky Bungoja përkundër asaj çka i dikton mosha, që ul grykësitë dhe pastron ndërgjegjen, vijon të jetë oreks-hapur, i pangopur. Edhe pse mbush portofolin me një pagë fantastike si kryetar Këshillit Drejtues, 81-vjeçari Bungo është tutor edhe i një emisioni të ideuar prej tij, por që nga mosmiratimi për motiv konfliktin e interesit, ja ka trashëguar me fjalë burri, regjisorit të punësuar prej tij. Emisioni i ideuar nga Bungo quhet “Zëri i Popullit”, regjisori i punësuar nga Leka, Ardi Roshi.
“Emisionin e Lekës e bën Ardi Rroshi. Është ide e Lekës. Arditi është një nga ata që e punësoi Leka si regjisor, por duke qenë se ish drejtori Thoma Gëllçi nuk ja miratoi Lekës projektin për emisionin “Zëri i Popullit“, pasi si drejtues i Këshillit Drejtues binte në konflikt interesi, Leka ia transferoi Arditit”, denoncojnë burime të mirëinformuara brenda RTSH-së, duke vijuar:
“Gerti Selenica, paguhet si kryeredaktor lajmesh dhe si autor i emisionit “Publikisht”. Dhe kur ka projekte merr paga të tjera plus.
Blerta Tafaj merr rrogën si gazetare, si moderatore e emisionit “Publikisht”, si autore emisionit “N’ koefidenc”, me një fjalë merr tre rroga, brenda të njëjtit institucion ku është emëruar si gazetare.
Bruna Qevai paguhet si gazetare, si folëse dhe si moderatore.
Rezarta Delisulaj, paguhet si autore e emisionit të mëngjesit, ndërkohë që është drejtore e Muzeut të Tiranës. Me ligj nuk lejohet se janë dy institucione shtetërore. Ndërkohë që punon dhe tek Euronews.
Megi Mëhilli merr rrogë si gazetare informacioni, paguhet plus për emisionin “Publikisht”, për emisionin e mëngjesit, ndërkohë që emisioni ka gazetarët e vet, emisionin “Zëri i Popullit”.
Indrit Dallonja merr gjithashtu dy rroga: Si redaktor i RTSH 24 dhe kryeredaktor i emisionit “Publikisht”.
Denada Shkodrani, gazetarja e kryeministrit nuk shkon asnjë ditë në punë. Paraqitet vetëm për të firmosur borderonë e pagës së majme dhe të dietave të fryra për shërbime bashkë me operatorin… Por në një fare mënyre kështu paguhen të gjithë shefat dhe të përzgjedhurit e tyre, nga dy tre herë.
Bledar Zaganjori është drejtor informacioni. Nuk di që firmos nëpër emisione. Ky firmos për emisione që nuk kalojnë në Këshill Drejtues. Jep miratimin ose i refuzon. Në listë-pagesat dilte që e kishte rrogën më të lartë se vetë ish drejtori Thoma Gëllçi. Dhe këto reportazhe ai i firmos.
Edhe Nolian Nole, me detyrë zyrtare kryeredaktor i RTSH 24 bën emision investigative, gjoja për vrasjet më të bujshme në vend dhe paguhet plus. Dhe për çdo emision ka tip konsulence. Konsulentët marrin lekë dhe këta.
Lutfi Dervishi është paguar në të njëjtën kohë si këshilltar i Thomait, si autor dhe moderator i emisionit “Përballë”, ndërkohë që deri para gjashtë muajsh merrte rrogë edhe si kryeredaktor”.