Aktualitet13 Qershor 2022, 11:18

BE bllokadë pronave të Kariç; a do ndëshkohen partnerët e tij në Kosovë?

Shkruar nga Pamfleti

Ndëshkimi nga BE i miliarderit serb Bogoljub Kariç, partner i Aleksandër Llukashenkos në Bjellorusi, ka shtuar dyshimet që ky aksion të shtrihet edhe në Kosovë.

Kariç, i cili ka lindur e rritur në Kosovë, ku ka kryer edhe shkollën e lartë, ka pasur një partneritet në zonën e Dukagjinit me dy biznesmenë të fuqishëm të asaj zone: Ekrem Llugën dhe Ramiz Kelmendin. Rrjeti i supermarketeve ETC në Kosovë janë pjesë e bashkëpronësisë së Kariçit.

Miliarderi i njohur serb, i cili ka qenë në të shkuarën edhe ministër në Beograd,  u ndëshkua në fundjavën e shkuar nga ana e Komisionit Europian në Bruksel

BE ka përmendur lidhjet e tij të ngushta të Kariçit me regjimin e presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko.

Emri i Bogoljub Kariç iu shtua listës së individëve dhe subjekteve të shumta të sanksionuar për mbështetjen e qeverisë bjelloruse, e cila shërbeu si mbështetje tokësore dhe logjistike për mbështetjen e pushtimit rus të Ukrainës.

“Së bashku me anëtarët e familjes së tij, ai zhvilloi një rrjet të kompanive të pasurive të paluajtshme në Bjellorusi dhe ka kultivuar një rrjet kontaktesh me familjen e Aleksandër Lukashenkos”, thuhet në vendimin e BE-së.

BE-ja vuri në dukje se “në veçanti, Kariç ka qenë i lidhur ngushtë me Dana Holdings dhe ish-degën e saj Dana Astra dhe thuhet se ka përfaqësuar ato subjekte gjatë takimeve me Lukashenkon”.

Sipas autoriteteve të BE-së, si rezultat i lidhjeve të tyre të forta me Lukashenkon dhe shoqëruesit e tij, kompanitë e lidhura me Kariç morën trajtim të veçantë nga administrata e Minskut, duke përfshirë stimuj tatimorë dhe parcela toke për zhvillimin e pasurive të paluajtshme.

Kariç shprehu habinë për sanksionet dhe tha se do t’i kundërshtojë ato ligjërisht.

Disa media investigative në Bosnje dhe Serbi një vit më parë në një hulumtim zbulun se Lukashenko ka favorizuar me anë të vendimeve të tij, duke bërë që të përfitohen rreth 1 miliard dollarë pasuri të paluajtshme në Minsk, nga kompanitë e ndërtimit të lidhura me familjen Kariç.

Disa firma, të gjitha nën ombrellën e korporatës Dana Holdings të regjistruar në Qipro të familjes Kariç, morën stimuj të mëdhenj tatimorë dhe burime publike në Bjellorusi për të financuar ndërtime, si dhe ju dhanë troje falas në kryeqytetin e Bjellorusisë Minsk me një urdhër presidencial. Projektet ambicioze të ndërtimit nuk janë realizuar kurrë.

Autoritetet e BE-së futën në listën e zezë kompanitë e familjes Kariç në dhjetor 2020 dhe Shtetet e Bashkuara ndoqën shembullin në gusht 2021. Kompanitë e familjes Kariç u përshkruan si “Portofoli i ndërtimit të Lukashenko”.

Megjithatë, Bogoljub Kariç nuk është i vetmi serb i shtuar në listën e fundit të zezë të BE-së.

Mbretëresha e re e plehrave kimike, Aleksandra Melnichenko e lindur në Beograd, u fut në listë të zezë, pasi burri i saj – miliarderi rus Andrey Melnichenko, pronar i prodhuesit kryesor të plehrave EuroChem Group dhe kompanisë së qymyrit SUEK, ja transferoi pronën e tij, të shoqes në përpjekje për të shmangur sanksionet ndërkombëtare kundër tij.

Ish-modelja dhe këngëtarja serbe zëvendësoi në mars bashkëshortin e saj “si pronare përfituese e Firstline Trust, e menaxhuar nga Linetrust PTC Ltd, një kompani që përfaqëson pronarin përfundimtar të EuroChem Group”.

“Prandaj, ajo është e lidhur me një biznesmen kryesor të përfshirë në sektorët ekonomikë, duke siguruar një burim të konsiderueshëm të ardhurash për Qeverinë e Federatës Ruse, e cila është përgjegjëse për aneksimin e Krimesë dhe destabilizimin e Ukrainës”, thuhet në dokumentin e BE-së.

BE-ja thekson gjithashtu se bashkëshorti i Aleksandrës, Andrey, “po mbështet ose zbaton veprime ose politika që minojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, si dhe stabilitetin dhe sigurinë në Ukrainë”./Pamfleti

Kryesore #Bogoljub Kariç #Lukashenko #Serbi #Bjellorusi #Kosovë