Aktualitet17 Tetor 2019, 20:00

BE do “peshqit e mëdhenj” në burg, Rama “qoka” me Metën, Berishën e Bashën dhe ankohet për refuzimin

Shkruar nga Pamfleti
BE do “peshqit e mëdhenj” në burg, Rama

BE do “peshqit e mëdhenj” në burg, Rama “qoka” me Metën, Berishën e Bashën dhe ankohet për refuzimin

Merkel, Macron, SHBA e liderët e tjerë europianë i kanë kërkuar ngritjen e SPAK e BKH dhe futjen në burg maskarenjve të politikës, por Rama zgjodhi të bashkohej me “boshtin e së keqes”, Meta, Berisha, Basha e bllokoi institucionet e drejtësisë. Në vend që të dënonte korrupsionin e qeverisjes së Berishës e Metës, Rama vijon pazaret me ta, përvetësoi e përsosi gjithë “teknikat” e vjedhjes, duke u përfshirë vetë përmes koncesioneve me PPP, tenderave e duke mashtruar dhe BE për borxhin. Tani është vonë, është kthyer vetë në “peshk i madh”

Edi Rama është në Bruksel, vërtitet korridoreve të qeverisë europiane, në një përpjekje të pashpresë që të marrë vesh i pari nëse presidenti francez Emanuel Macron ndërron ‘mendje’ për negociatat e Shqipërisë me BE.

Ndonëse e ka dëgjuar me dhjetëra herë për dy ditë me radhë, që nga Angela Merkel e deri nga vetë Macron se nuk ka votë “pro” të Francës për Shqipërinë, kreu i qeverisë shqiptare vijon të “matë” korridoret e Brukselit dhe të “numërojë” pllakat e institucioneve europiane.

Me sa duket Edi Ramës nuk i bëhet të vijë në Shqipëri, pa ikur dhe portieri i fundit i sallës në të cilën u mblodh Këshilli Europian  për të vendosur shtyrjen e hapjes së negociatave. Rama ka tre vite rresht që “feston” vendimin e nisjes së bisedimeve me BE, dhe s’ka fytyrë të kthehet.

Për hir të së vërtetës, nuk na e ka fajin as Franca, as Holanda dhe as Finlanda për refuzimin e votës “pro” Shqipërisë për hapjen e negociatave, por e kemi fajin vetë ne, duke filluar nga kryeministri Rama dhe qeveria e tij e korruptuar, opozita e shpartalluar dhe ne shqiptarët që nuk kemi “zanat” të ngrihemi dhe t’ia kthejmë “patkonjtë nga dielli” kësaj klase politike.

Kryeministrit Edi Rama ia kanë kërkuar mëse njëherë “të mëdhenjtë” e BE sikurse i quan ai me ironi ata që vendosin për integrimin e Shqipërisë, se pa futur në burg “peshqit e mëdhenj” të politikës shqiptare, nuk ka negociata.

Ia thanë vitin e kaluar, kur kërkuan me ngulm ngritjen e institucioneve të drejtësisë së re, SPAK e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që të luftohet korrupsioni, të marrë fund pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë dhe të fillohet me dënimet në sferat e larta.

Ia thanë dhe në pranverën e këtij viti, që nga Macron, Merkel, por dhe liderët e tjerë europianë si dhe zyrtarët e lartë në SHBA, që të mos ketë asnjë mëshirë për këta maskarenj që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve.

Dhe Rama, në vend që të zbatonte pikë për pikë kërkesat dhe rekomandimet e miqve tanë, u bashkua me “boshtin e së keqes” kundër Reformës në Drejtësi, duke bllokuar ngritjen e SPAK, BKH, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Në vend që të bënte të gjitha përpjekjet e të dërgonte për hetim dosjet e mëdha të krimit, t’ia linte ‘kopilin në derë’ Prokurorisë e Gjykatës, Rama zgjodhi të bënte ‘qoka’ me Metën, Berishën, Bashën, ish-ministrat e PD e LSI dhe të “rrëmbente” oligarkët klientë të qeverisë së kaluar.

Në vend që të dënonte korrupsionin dhe vjedhjen masive nga qeverisja e Berishës dhe Metës, Edi Rama jo vetëm qeverisi një mandat me Metën, jo vetëm vijon pazaret me ta, për përvetësoi dhe përsosi të gjitha “teknikat” e vjedhjes, duke u përfshirë vetë në vjedhje përmes koncesioneve me PPP, tenderave dhe duke mashtruar Brukselin për financat publike dhe borxhin.

Pra, duhej të kishte realizuar gjithçka i kërkuan, dhe jo të ankohet tani se “nuk e do Europa”, “është lojë e të mëdhenjve për hallet e tyre” dhe që kanë përdorur si “sanduiç” Shqipërinë. Tani është vonë, dhe është kthyer dhe vetë një “peshk i madh”, që do të kalojë patjetër në dorën e SPAK./Pamfleti/

Kryesore BE do “peshqit e mëdhenj” në burg Berishën e Bashën dhe ankohet për refuzimin Rama “qoka” me Metën