Aktualitet 9 Shtator 2022, 20:37

BE godet Berishën në 1-vjetorin e përjashtimit nga PD, ambasadorja e re njeh grupimin e Alibeajt

Shkruar nga Pamfleti
BE godet Berishën në 1-vjetorin e përjashtimit nga PD,

Berisha ka marrë një “dhuratë” nga BE në këtë përvjetor, pasi ambasadorja e re e Brukselit në Tiranë, Christiane Hohmann, ka njohur grupimin e Enkeljed Alibeajt si përfaqësues të PD.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka marrë një goditje të fortë nga Bashkimi Evropian, në 1-vjetorin e përjashtimit të tij nga PD.

Si sot një vit më parë, Lulzim Basha mori një prej vendimeve ndoshta më të forta në jetën e tij, pasi vendosi të përjashtonte nga grupi parlamentar liderin historik të saj.

SHBA e shpalli Berishën të padëshiruar më 19 maj 2021 dhe gjatë gjithë verës pati negociata me Lulzim Bashën, ku amerikanët i kërkuan që ta përjashtonte ish-kryetarin nga grupi parlamentar demokrat. Askush nuk e mendonte, por pasditen e 9 shtatorit, Basha doli me një mesazh publik dhe njoftoi vendimin ekstrem, vendim i cili ndryshoi tërësisht jetën dhe karrierën politike të Berishës.

Por sot ai ka marrë një “dhuratë” nga BE në këtë përvjetor, pasi ambasadorja e re e Brukselit në Tiranë, Christiane Hohmann, ka njohur grupimin e Enkeljed Alibeajt si përfaqësues të PD. Ajo e mori mandatin një muaj më parë dhe ka zhvilluar takime me figura të ndryshme të politikës. Pak ditë më parë, ajo u takua me kryeministrin Edi Rama, ndërsa nga opozita ka preferuar të takohet me Jorida Tabakun, duke mos njohur në këtë mënyrë Berishën si kryetar partie, pro edhe njerëzit e emëruar prej tij. Tabaku është rreshtuar në krah të Alibeajt dhe fakti që takimi i parë i ambasadores me PD u mbajt me Tabakun, është një shuplakë e fortë për deputetin “non grata”.

Me anë të një postimi në Twitter, Tabaku u shpreh se diskutimi është fokusuar në rolin në rritje të Parlamentit në lidhje me procesin e integrimit Europian si dhe suportin e opozitës.

Kënaqësi të takohesha me ambasadoren e BE në vendin tonë, ku ndava idetë në lidhje me rolin e Parlamentit dhe sfidat e reja që ka Shqipëria pas IGC. Opozita është e përkushtuar për të kontribuar në këtë proces si e vetmja rrugë transformuese për Shqipërinë dhe e vetmja mënyrë për të çliruar potencialin që kanë shqiptarët”, shkruan Tabaku.

Por kjo lëvizje vjen në një kohë kur janë shtuar zërat se Berisha do shpallet i padëshiruar nga BE. Dje ishte Taulant Balla që e paralajmëroi në Kuvend një gjë të tillë. Por ndonëse nuk kemi një akt zyrtar, “de fakto”, Berisha është i padëshiruar brenda unionit, pasi nuk e takon asnjë ambasador evropian. /Pamfleti

Kryesore ambasadorja e BE BE Berisha tabaku

Aktualitet