Bota 6 Prill 2019, 13:07

BE: Kosova i ka plotësuar kriteret për vizat, por ka edhe 1 kusht tjetër

Shkruar nga Pamfleti
BE: Kosova i ka plotësuar kriteret për vizat, por ka edhe 1 kusht

BE: Kosova i ka plotësuar kriteret për vizat, por ka edhe 1 kusht tjetër

Kosova po vazhdon të marrë rekomandime pozitive nga institucione të Bashkimit Evropian (BE) për liberalizim të vizave, por qytetarët po vazhdojnë të mos kenë të drejtë të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen. Për gati një dekadë politikanët kanë dhënë data të ndryshme të liberalizimit të vizave, mirëpo qytetarët e vendit edhe më tutje vazhdojnë të mbesin të izoluar, shkruan “Zëri”.

Kosova ka ende punë për të bërë deri në heqjen e vizave kanë deklaruar edhe zyrtarë të BE-së. Në një përgjigje dhënë “Zërit” nga kjo zyrë ata kanë deklaruar se ndonëse Komisioni Evropian ka konfirmuar përmbushjen e të gjitha kritereve për heqjen e vizave, tani Kosova duhet të vazhdojë punën me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Komisioni konfirmoi në korrik të vitit 2018 se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, duke përfshirë dy kërkesat e mëparshme:

1. Ratifikimin e Marrëveshjes së Ndarjes së Kufirit me Malin e Zi

2. Forcimin e punës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kosova ka bërë përparim të madh gjatë dy vjetëve të fundit dhe është e rëndësishme që zbatimi i të gjitha standardeve të vazhdojë”, thuhet në përgjigjen e tyre për “Zërin”.

Aty thuhet po ashtu se tani i takon Parlamentit Evropian dhe Këshillit të miratojnë propozimin e Komisionit për dhënien e udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës. /ZËRI

Rajoni Komisioni Europian liberalizimi i vizave për Kosovën Parlamenti Europian