Alarmi për krizën e mundshme ushqimore të shkaktuar nga lufta në Ukrainë ka filluar të shqetësojë Bashkimin Evropian.
Rusia ka bllokuar mijëra ton grurë në Detin e Zi dhe sipas raporteve, shumë shtete rrezikojnë krizë urie nëse drithi nuk eksportohet. Raportimet më të fundit flasin se BE do të ndërmarrë një angazhim special, për të shoqëruar me eskortë anijet ukrainase.
E përditshmja “El Pais”, bazuar në dokumente dhe të dhëna shprehet se ky opsion do të diskutohet në samitin e të hënës. Pra plani është që anijet me drith të shoqërohen nga anije ushtarake të shteteve të BE, në mënyrë që të ndalohet një sulm i mundshëm rus.
Rreziku i bllokimit të rrugëve të Detit të Zi mund të shkaktojë një krizë të paprecedentë ushqimore, e cila mund të destabilizojë shumë rajone afër kufijve të BE-së. Kjo nuk do të ishte një periudhë momentale krize, por një emergjencë e vërtetë ushqimore që rrezikon të provokojë një valë protestash, konfliktesh dhe migrimesh të mundshme. Një skenar që Bashkimi Evropian nuk mund ta përballojë dhe prandaj po merr masa.
Një faktor i dytë ka të bëjë me vështirësinë për të gjetur alternativa të shpejta dhe po aq efektive për nisjen e ngarkesave nga portet e pushtuara. Rrugët e Detit të Zi janë padyshim më të shpejtat dhe më efektive për transportin e drithërave në sasi të mëdha. Vendet evropiane po kërkojnë mënyra që mund t’i zëvendësojnë disi këto rrugë, nga transporti hekurudhor në portet e Balltikut dhe Adriatikut, deri te porti më i afërt rumun i Konstancës. Por transporti nga këto rrugë është i gjatë dhe ka kosto. Për këtë arsye shihet si alternativë kryerja e një misioni ushtarak special.