
BE prezanton ‘qeverinë’ e re, Komisioneri për Zgjerim një hungarez, kabineti i ri me më shumë femra se kurrë
Pas zgjedhjes së Presidentes së Komsionit Evropian, Ursula von der Leyen, këtë të martë është prezantuar edhe kabineti i ri.
Si kurrë më parë, nën drejtimin e von der Leyen, Komisioni i ardhshëm i BE do të ketë në përbërjen e tij më shumë femra.
Do të ketë thuajse një përfaqësim të barabartë, pra komisioni do të përbëhet nga dymbëdhjetë femra dhe katërmbëdhjetë meshkuj.
“Sot jam e lumtur të paraqes Komisionin tim të balancuar, të zhdërvjellët dhe modern, i cili drejtohet me vendosmëri, i përqendruar qartë në çështjet që kemi në duar dhe jep përgjigje”, shkruan Von Der Leyen.
Komisioni i ri është një hap i qartë përpara, përballë Komisionit që po largohet, i cili përbëhej nga nëntë femra dhe 19 meshkuj.
Ndërkohë, Komisioneri për Zgjerim, që përbën dhe më shumë interes për Shqipërinë, do të jetë hungarezi László Trócsányi, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i Parlamentit Evropian. Më parë, ai ka shërbyer si ambasador i Hungarisë në Francë dhe ministër i Drejtësisë për pesë vite.
Për shkak të largimit të planifikuar të Britanisë së Madhe nga BE më 31 tetor, Mbretëria e Bashkuar nuk përfaqësohet më në Komisionin e ri, i cili do të fillojë punën e tij në 1 nëntor.