
Belgjika "nuk i bindet" presionit ndërkombëtar, vazhdon të importojë diamante nga Rusia
Pavarësisht sanksioneve të gjera të vendosura kundër Rusisë që nga pushtimi i Ukrainës, tregtarët belgë të diamanteve vazhdojnë të importojnë gurë të çmuar nga Moska.
Përmes një artikulli, tabloidi britanik The Guardian thekson se ndërsa Bashkimi Evropian ka ndaluar blerjen e shumë mallrave ruse, diamantet ende i shmangen sanksioneve. Tregtia vazhdon pavarësisht presionit moral nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili, duke folur në parlamentin belg në mars, tha se “paqja vlen më shumë se çdo diamant”.
Para pushtimit të Ukrainës, 25% e diamanteve të papërpunuara që kalonin nëpër Antwerp vinin nga Rusia. Sipas statistikave të bankës kombëtare të Belgjikës, në vitin 2021 vendi importoi diamante ruse me vlerë 1.8 miliardë euro dhe në 8 muajt e parë të 2022, diamante me vlerë 1.2 miliardë euro.
Shoqata tregtare e Antwerp World Diamond Center (AWDC) thotë se ndalimi i importeve të diamanteve ruse “do të kushtonte 10,000 vende pune”.
Filip Reyniers, drejtor i Shërbimit Ndërkombëtar të Informacionit të Paqes, një institut kërkimor me qendër në Antwerp, beson se këto shifra janë “të vjetruara, të ekzagjeruara” dhe bazohen në një studim që u zhvillua dymbëdhjetë vjet më parë. AWDC tha se të dhënat e tyre bazohen në hulumtimin e vitit 2021, por nuk iu përgjigj pyetjeve të Guardian rreth saj.
Sipas një gazete britanike, zyrtarët belgë kanë paralajmëruar në mënyrë diskrete Bashkimin Evropian se vendosja e sanksioneve ndaj diamanteve ruse mund të çojë në humbjen e vendeve të punës. Megjithatë, qeveria në Bruksel siguron se asnjëherë nuk është përpjekur të bëjë pjesë të sanksioneve sektorin e diamanteve.
“Vendi ynë nuk i ka bllokuar kurrë veprimet në sektorin e diamanteve”- tha në mars kryeministri belg Alexander De Croo.
Vendet evropiane importojnë diamante nga Rusia
The “Guardian” kujton se Belgjika nuk është i vetmi vend evropian që po përpiqet të mbrojë industrinë e saj nga efektet e sanksioneve. Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke janë të përjashtuara nga embargoja e naftës, ndërsa Italia dhe Belgjika kanë siguruar përjashtimin nga ndalimi tregtar për disa produkte të çelikut rus, duke përmendur rrezikun e pushimeve nga puna në industri.
Ndalimi i shitjes së diamanteve ruse “do të funksionojë kundër nesh, sepse tregtia do të shkojë në Indi”, tha një diplomat i lartë i BE-së. Përfaqësuesit e industrisë në Antwerp janë të një mendimi të ngjashëm, duke argumentuar se një kurs i tillë veprimi do të rezultonte në një eksod të tregtarëve nga Antwerp në Lindjen e Mesme dhe Indi, vende që ende tregtojnë me Rusinë.
Një tjetër diplomat i BE-së i tha Guardian se: “Belgjika duhet të lëvizë në veprim – jo vetëm të mbështesë Ukrainën me deklarata të forta dhe dashamirëse, por të gjejë guximin të ndajë dhimbjen e sanksioneve me të gjithë partnerët e tjerë të BE-së.”