Aktualitet19 Shtator 2022, 22:17

Ben Blushi: Vajza nga Kievi dhe tymi i cigares

Shkruar nga Pamfleti
Ben Blushi: Vajza nga Kievi dhe tymi i cigares

Një pjesë fotosh janë shkrepur mbi gërmadhat që ka lënë lufta në qytete të bombarduara si Irpin apo Borodyanka, kurse pjesa tjetër tregojnë jetën e përditshme dhe normale të Kievit.

Shkruan Ben Blushi

Kjo vajzë ishte ulur në një nga stolat e Kievit në mes të qershorit. Ajo ishte vetëm dhe dukej sikur nuk priste asnjeri. Cigarja ishte i vetmi mik i saj.

Kur e fotografova qeshi dhe nxori më shumë tym. Ajo kishte qejf që unë ta fotografoja, a thua se donte që njerëzit jashtë Ukrainës të binden se aty jeta vazhdon normalisht se pihet cigare dhe vetmia nuk është e dhimbshme.

Kjo foto është një nga 68 fotot e një ekspozite që arrita të realizoj gjatë 10 orëve qëndrimi të shpejtë në Kiev dhe rrethinat e tij.

Kjo ekspozitë ka dy pamje.

Një pjesë fotosh janë shkrepur mbi gërmadhat që ka lënë lufta në qytete të bombarduara si Irpin apo Borodyanka, kurse pjesa tjetër tregojnë jetën e përditshme dhe normale të Kievit.

Kjo foto është njëra prej tyre.

Unë e quajta një Cigare në Kiev. Në fakt duhet ta quaja Tym në Kiev, por me siguri do keqkuptohesha, sepse aty nuk ka luftë dhe nuk ka tym.

Tymi i cigares është më i bukur se tymi i luftës.

Dhe natyrisht vret më pak.

Meqë ra fjala, ekspozita ime “Ukraina në 10 orë “, do jetë e hapur çdo ditë deri në datën 30 shtator, në mjediset e COD, në Tiranë.

Aty nuk lejohet cigarja. Një arsye më shumë për të ardhur.

Forum blushi cigare