Politike 3 Shkurt 2023, 22:06

Berisha apo Alibeaj do regjistrohet në zgjedhje? Celibashi: KQZ do zbatojë vetëm ligjin

Shkruar nga Pamfleti
Berisha apo Alibeaj do regjistrohet në zgjedhje? Celibashi: KQZ do

Berisha apo Alibeaj do regjistrohet në zgjedhje? Celibashi: KQZ do zbatojë vetëm ligjin

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi,  i ftuar në emisionin “Barometri”, deklaroi se ende nuk ka një kërkesë për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale, të 14 Majit.

Celibashi u shpreh se në momentin që do të vijë një kërkesë nga PD-ja, do të shqyrtohet nëse personi ka tagrin për ta bërë këtë kërkesë ligjërisht apo jo.

 “Diskutimi është kush e ka tagrin për të regjistruar PD-në. Nuk jemi duke bërë asgjë për regjistrimin e PD-së sepse nuk kemi asnjë kërkesë. Në momentin që do të na vijë kërkesa, do ta shqyrtojmë nëse personi që do të paraqesë kërkesën ka tagrin për ta bërë këtë kërkesë ligjërisht.

Unë dhe KQZ si institucion, kemi zero interes se kush regjistrohet. Mesazhi im për të gjetur zgjidhjen është për të gjithë ata që kanë vesh të dëgjojnë dhe ata që kanë në dorë vendimmarrje që të zbatohen afatet”, theksoi ai.

Kreu i KQZ dha detaje edhe për fletën e votimit që do të përdoret për zgjedhjet lokale të 14 Majit, ai thotë se do të jetë më e thjeshtë se ajo e zgjedhjeve të vitit 2019.

“Fleta e votimit këtë herë do të jetë më e thjeshtë se në zgjedhjet e fundit vendore. Duhet ta pranojmë që për shkak të debatit që u bë për fletën e votimit, ne si KQZ e nisëm pak vonë fushatën për mënyrën si votohej. Mesa duket, nuk adaptuam modelin e duhur të fletës së votimit, se nuk ka si shpjegohet ndryshe numri aq i lartë i fletëve të pavlefshme”, theksoi ai.

Politike Ilirjan Celibashi KQZ