Aktualitet23 Maj 2022, 17:42

Berisha braktiset nga të gjithë, injorohet nga ambasadat dhe PPE; edhe rusët të irrituar

Shkruar nga Pamfleti
Berisha braktiset nga të gjithë, injorohet nga ambasadat dhe PPE; edhe

Nuk pati asnjë reagim edhe nga Partitë Popullore Europiane. PD është pjesë e tyre dhe PPE duhet të ishte organizata e parë që duhej të uronte kreun e ri. Por edhe për ta Berisha nuk është kryetar ligjor. 

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Partia Demokratike rrezikon të izolohet me rikthimin e Sali Berishës në krye të saj. Dje Komisioni i Rithemelimit mbajti zgjedhjet për kryetarin dhe shpalli Berishën fitues, por duket se askush nuk i njeh këto zgjedhje.

Berisha nuk ka marrë asnjë mesazh publik urimi nga ndërkombëtarët. Nëse kthehemi pas në kohë, sa herë Lulzim Basha rikonfirmohej në krye të partisë, reagimet e ambasadave ishin të shumta në rrjetet sociale. Deri më tani, nuk ka asnjë deklaratë publike që Berisha të urohet për marrjen e detyrës.

Amerikanët e kanë bërë të qartë se nuk bashkëpunojnë kurrë me të, por duket se atij i është mbyllur dera edhe nga evropianët. Ambasada e BE jo e jo që nuk reagoi, por asnjë shtet tjetër pjesë e familjes evropian nuk reagoi. Berisha u pyet sot nga gazetarët dhe i bëri bisht pyetjes, por faktet janë fakte. Duke qenë se askush nuk reagoi, do të thotë se ai mund të shmanget nga evenimentet, takimet dhe bashkëpunimi me ambasadat.

Ajo që bie në sy është se nuk pati asnjë reagim edhe nga Partitë Popullore Europiane. PD është pjesë e tyre dhe PPE duhet të ishte organizata e parë që duhej të uronte kreun e ri. Por edhe për ta Berisha nuk është kryetar ligjor. Sinjalet u dhanë që pak ditë më parë, pasi deputeti gjerman i CDU/CSU në Gjermani dhe anëtar i PPE, Gunther Krichbaum, deklaroi se me rikthimin e Berishës, PD duhet të përjashtohet nga Partitë Popullore.

Disa media ndërkombëtare raportuan për këtë zhvillim, por të gjitha e vinin theksin te një elemet: Berisha është “non grata” nga SHBA. “Megjithatë, mbështetja e Berishës nga anëtarësia, nuk u reflektua nga ligjbvnësit demokratë prej të cilëve mori një mbështetje të vogël”, shprehen në vija të përgjithshme “Associated Press” dhe “Washinton Post”. Sipas tyre, SHBA nuk do të bashkëpunojë me PD përsa kohë Berisha është kryetar.

Zgjedhjet e së dielës janë raportuar edhe nga mediat ruse. Kur Berisha nisi përplasjet me amerikanët, mediat ruse i jepnin shumë zë dhe mbështetej. Por sulmet që ka nisur ish-kryeministri kundër tyre duket se kanë irrituar dhe Moskën. Një portal rus flet për rikthimin e tij, ndërsa e bën të qartë se Berisha po ndjek një politikë të fortë antiruse.

“Kujtojmë se në vitin 2021, presidenti i parë dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u shpall persona “non grata” në Shtetet e Bashkuara për shkak të akuzave për korrupsion. Ambasada amerikane tha se nuk do të bashkëpunojë me Partinë Demokratike Shqiptare nëse ai rikthehej kryetar. Berisha në fjalën e tij pas rizgjedhjes u shpreh: “U ktheva! Kurrë mos thuaj kurrë”. Berisha aktualisht mban një qëndrim të ashpër anti-rus”, thekson portali “Regnum.ru”.

Mbetet të shihet se si do të shkojnë gjërat në PD, pasi pritet dhe vendimi i Gjykatës së Apelit, e cila mund të rrëzojë zgjedhjet e Berishës dhe pastaj pritet një situatë tepër kaotike në partinë më të madhe opozitare. /Pamfleti/

Kryesore Ambasadore Berisha PD Ruset