Aktualitet28 Prill 2022, 21:57

Berisha frikë për dështimin e Kuvendit, telefonata e lobime për të mbushur karriget; si po josh “gardën e vjetër” me

Shkruar nga Pamfleti
Berisha frikë për dështimin e Kuvendit, telefonata e lobime

Berisha ka futur njerëz për të joshur “gardën e vjetër”, duke ju premtuar poste e ofiqe kur të vijë në pushtet, por edhe duke u dhënë përgjegjësi në PD.

Deputeti “non grata” Sali Berisha është hedhur në aksion për të mbushur karriget e Pallatit të Kongreseve ditën e shtunë.

Ndonëse Gjykata e Apelit nuk ka marrë një vendim final për Statutin e PD, Berisha do të mbledhë të shtunën “Kuvendin Kombëtar”, përmes të cilit do të shkarkojë Alibeajn, Kryesinë, anëtarët e Këshillit dhe do të shpallë zgjedhjet e reja që të emërojë veten kryetar. Edhe pse asnjë vendim nuk do të ketë vlerë juridike, Berisha i druhet një dështimi me këtë Kuvend.

Deri dje tallte Bashën për karriget në Pallatin e Kongreseve, por ka vendosur që aty ta mbajë Kuvendin e tij. Por edhe pse salla mban 1800 persona, sinjalet janë se Berisha nuk e mbush dot sallën. Një ditë më parë ai ju bëri thirrje Topallit, Bregut, Patozit dhe gjithë “gardës së vjetër” që të kthen në PD. Edhe pse në 2013 qytetarët i dhanë “1 milion shuplaka” për shkak të këtyre njerëzve, Berisha duket se kërkon rikthimin e tyre.

Ai nuk është mjaftuar vetëm me fjalë, pasi mësohet se gjatë ditëve të fundit po telefonon dhe po fut njerëz që të bindë emrat që përjashtoi Basha, që të bëhen pjesë e Kuvendit të së shtunës. Vetë Myslim Murrizi e pranoi sot se Berisha e ka marrë në telefon. “Sali Berisha më telefonoi mbrëmë dhe më kërkoi rikthimin, më tha je i mirëpritur në PD. Unë iu përgjigja pozitivisht, do të jem në Kuvendin e 30 Prillit”, tha ai sot.

Por sipas burimeve, Berisha ka kontaktuar dhe me shumë emra të tjerë, duke ju kërkuar të rikthehen. Nga ana tjetër mësohet se po ushtrohet presion ndaj shumë të tjerëve që nuk duan t’i shkojnë pas, kryesisht ata që kanë qenë drejtorë apo krerë degësh gjatë qeverisjes së tij. Të gjithëve po u bëhen presione që të mos mungojnë të shtunën.

Detaje mbi lobimet e Berishës për të mbushur karriget ka dhënë edhe Roland Bejko, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD. Ai tha se Berisha ka futur njerëz për të joshur “gardën e vjetër”, duke ju premtuar poste e ofiqe kur të vijë në pushtet, por edhe duke u dhënë përgjegjësi në PD. “Kanë disa ditë që marrin personalitet të PD që kanë qenë skeptik ose kundërshtarë dhe i ftojnë dhe i thonë që doktori na ka dhënë në porosi të të ftojmë në Kuvend dhe të pranosh që të fusim në Këshillin Kombëtar”, tha Bejko.

Pra duket qartë se Berisha po mundohet të mbledhë pas vetes ata që kishte para 10 vitesh me shpresën se do t’i bëjë ballë presionit amerikan. Nga ana tjetër nesër zyrtarja e DASH pritet të lëshojë mesazhe shumë të forta për Berishën dhe ata që i shkojnë pas. /Pamfleti

Kryesore Berisha Garda e vjetër Kuvendi i PD