Veniten planet e Ilir Metës për të marrë ai frenat e opozitës. Pak ditë më parë shefi i kabinetit në Presidencë, Edmond Panariti, tha se Meta pas 24 korrikut kërkon më shumë se LSI, duke dhënë sinjale se ai synon frenat e opozitës. Madje vetë Meta në një intervistë dy ditë më parë u shpreh se me rikthimin e tij opozita do ndryshojë tërësisht.
Por duket se kjo ambicie e tij nuk mbështet nga Berisha, i cili ja ka bërë të qartë sot se do të ketë bashkëpunim, por nuk mundet që opozita të drejtohet nga LSI. Ai e bëri të qartë se fronti antiamerikan do drejtohet nga foltorja.
“Ideja ime është një front opozitar, me një udhëheqje kolektive, ku rol kryesor ka PD. Kontributi i çdo force politike, apo faktori tjetër, organizata të shoqërisë civile, individ i shqyer është i mirëpritur. Ne jemi të hapur. Rama duhet të përballet me frontin për shpëtimin e Shqipërisë”, tha Berisha.
Ish-kryeministri konfirmoi dhe atë që tha “Pamfleti” pak ditë më parë që pazari është gatuar në Baku. Por duket se ideja që qarkullon kohët e fundit për një shkrirje të foltores me LSI dhe të jetë Meta ai që të ketë rol kryesor nuk mbështetet aspak nga deputeti “non grata”.
“Disa herë jemi takuar në Baku me Presidentin Meta. Ai i mbyll këtë javë detyrimet. Mirëpritet kontributi i tij dhe i LSI-së në opozitarizmin kundër Edi Ramës. Do bashkohemi me të gjitha forcat politike që besoj se ky regjim është armiqësor ndaj shqiptarëve”, tha ai më tej.
Deklarata e Berishës, vjen një ditë pas mesazhit që i dërgoi Monika Kryemadhi. Kjo e fundit një ditë më para dha sinjale se palët nuk e kanë arritur pazarin final. Kryemadhi tha se nuk kanë ndërmend ta presin gjatë foltoren, duke treguar qartë se ata janë duke pritur diçka.
“Nuk ka asgjë për të fshehur. LSI i krijoi infrastrukturën teknike Grupit të Rithemelimit më 6 mars. Grupi i Rithemelimit është shumica. Ne deri më sot kemi pritur të mbyllet procesi i unifikimit të PD. Por nuk mund të presim në pafundësi. Prandaj kemi lënë konventën tonë më 25 korrik. Ne flasim për çështje me rëndësi politike. Zgjedhjet lokale janë të rëndësishme dhe në to unifikimi i opozitës me kandidaturat e saj e bën real rezultatin e vërtetë. Është e rëndësishme të kuptojmë hapjen e opozitarizmit. Ju zoti Rakipi mund të jeni një kandidat i mirë përballë Erion Veliajt. Shtatori do të jetë afati i fundit i qasjes së opozitarizmit”, tha ajo.
Mbetet të shihet se si do të përfundojë aleanca Meta-Berisha, por ambicia për pushte e të dyve nuk është çudi që të përfundojë si “aleanca e qelbësirave”.