Politike28 Qershor 2022, 18:57

Berisha karikon të vetët për protestën: Rama na ka vjedhur zgjedhjet, negociatat bllokohen për faj të tij

Shkruar nga Pamfleti
Berisha karikon të vetët për protestën: Rama na ka vjedhur

Sali Berisha ka nisur të karikojë të vetët për protestën e 7 korrikut. Ish-kryeministri po mundohet që të krijojë një sërë kauzash për këtë protestë, duke qenë se nuk dihet arsyeja kryesore e tubimit.

Në një takim me disa mbështetës të tij nga shoqëria civile, ai tha se një arsye për protestë është vjedhja e zgjedhjeve.

Autokraci elektorale që bën zgjedhje dhe vjedh zgjedhje, nuk lë qytetarët të votojnë të lirë, i rrëmben zgjedhjet. Pastaj pyet zyrat e PS si anketa popullore. Kësaj gjendje duhet t’i japim fund, ai s’mund të tallet më me shqiptarët”, tha Berisha.

Ai u ndal dhe te negociatat, duke thënë se nuk është faji i Bullgarisë që nuk ka dritë jeshile, por është faji i Edi Ramës. Berisha dënoi gjithashtu edhe gjuhën e përdorur nga Rama ndaj Sofjes.

Një kryeministër që sulmon në mënyrë të shpëlarë një vend mik, nga i cili në 32 vitet e fundit shqiptarët kanë patur vetëm mirësi, vetëm miqësi me aq sa ka pasur në mundësitë e saj, Bullgarinë. Dhe pse? Jo se Bullgaria ka penguar Shqipërinë. Shqipërinë e ka penguar Edi Rama për hapjen e negociatave. Ia tha bukur padroni i tij, janë disa vende që nuk pranojnë t’i hapin Shqipërisë negociatat, por për lehtësi pune u tha Veto bullgare, veto bullgare është për Maqedoninë, me Maqedoninë Bullgaria ka një tufë problemesh që po shkojnë drejt zgjidhjes. Me Shqipërinë nuk ka asnjë problem. Por Shqipëria ka problem qeverinë e saj, ka problem një njeri i cili mburret se nuk ka master dhe doktoraturë, një njeri që nuk kupton se çfarë flet në shumicën e rasteve kur vjen problemi për qeverisjen dhe një njeri i cili do të shfrytëzojë çdo fatkeqësi të këtyre qytetarëve, jo për të zgjidhur ato, përkundrazi për të fituar kapital politik nëpërmjet tyre”, tha ai.

Politike Berisha Protestë