
Pas raportit të DASH, ka ardhur një kritikë shumë e fortë nga amerikanët sa i takon pastrimit të parave dhe luftës ndaj korrupsionit.
Drejtori i Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në Ambasadën Amerikane, Benjamin Rockwell, duke folur në një aktivitet për pastrimin e parave, u shpreh se vlerëson punën e SPAK të bërë deri më tani, por ajo nuk mjafton për amerikanët.
Zyrtari i ambasadës kërkoi që SPAK të hedhë grepin në bregdet, aty ku dhe kanë vilat bosët e politikës dhe krimit. Duhet theksuar se në Gjirin e Lalëzit kanë vila Berisha, Meta disa ministra, vetë kreu i SPAK dhe disa deputetët.
“Kemi filluar të shohim përmirësime në fushën e pastrimit të parave, sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve. Një akuzë e pastrimit të produkteve të veprës penale ishte pjesë e arrestimeve të SPAK në dosjen e inceneratorëve, ndërsa po shohim përdorimin e efektshëm të këtyre akuzave nga prokuroria. Aksionet e fundit janë një nisje e mirë, por ka shumë punë për t’u bërë. Nuk nevojitet shumë ekspertizë për të parë përreth qytetit, në bregdet apo kudo, ku shihet qartë prezenca e pasurive të paligjshme në sistemin shqiptar”, u shpreh Benjamin Rockwell. Deklarata e tij duket se është një ultimatum i qartë për prokurorët që të nisin atje ku kanë fshehur pronat pushtetarët.
Në raportin e “Moneyval”, Shqipëria ndodhet në listën gri për pastrimin e parave dhe për zyrtarin amerikan kjo është e turpshme.
“Kemi parë goditje të mëdha nga SPAK dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, të cilat po bëhen të përjavshme, por fakti se Shqipëria mbetet në listën gri në luftën kundër pastrimit të parave, është një shenjë turpi për vendin. E cila ngre pikëpyetje kredibiliteti për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shfaq një pozicion parandalues në investimet ndërkombëtare dhe rritjen ekonomike dhe sigurisht, kur ka një impakt kaq të madh në shoqëri, është një problem i madh i shoqërisë”, tha ai.