Aktualitet30 Nëntor 2022, 19:39

Berisha nuk tërhiqet dhe sfidon policinë: Më 6 dhjetor protestojmë para Kryeministrisë, do t'i tregojmë vendin Edi Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Berisha nuk tërhiqet dhe sfidon policinë: Më 6 dhjetor

Ish-kryeministri Sali Berisha ka sfiduar policinë për protestën e 6 dhjetorit. Kjo e fundit refuzoi mbajtjen e tubimit para Kryeministrisë, por Berisha nuk ka ndërmend të ndryshojë plan. Këtë mbrëmje ai ka pasur një takim me banorët e njësisë 5 në Tiranë, ku e theksoi disa herë se tubimi do mbahet para Kryeministrisë, pasi armiku është Edi Rama dhe jo liderët e BE.

Ne jemi në rrugë dhe shesh për të protestuar kundër Edi Ramës dhe regjimit të tij. Ne dalim më datën 6 për t’i thënë liderëve të Evropës se ky nuk përfaqëson popullin shqiptar dhe se ky është një armik i të gjitha vlerave themelore mbi të cilat janë ndërtuar shoqëritë e lira, armik i votës, kulturës dhe pasurive publike”, tha ai.

Më tej ai ftoi të gjithë shqiptarët që të zbresin në shesh. Sipas tij, protesta do jetë një “përshëndetje” për liderët e BE. Sipas tij, ata duhet të shohin fytyrën e vërtetë të Edi Ramës.

Pse ne do jemi në datën 6 në protestë? Unë ftoj liderët e BE ta marrin këtë si një përshëndetje dhe nderim ndaj tyre dhe vlerave të tyre. Por kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër është se ne jemi në shesh për të protestuar kundër armikut të betuar, Edi Ramës dhe regjimit të tij. Këtu nuk fshehim asgjë, përkundrazi ne dalim më datën 6 për tu thënë liderëve të BE se ky nuk përfaqëson popullin shqiptar dhe se ky është armik i demokracisë, armik i votës së lirë. Në tërë historinë, të ardhmen e shqiptarëve nuk e ka vjedhur askush më barbarisht se Enver Hoxha dhe Edi Rama. Më 6 dhjetor ai që i thotë vetes shqiptar, ai që e ndjen veten shqiptar, ai nuk mund të jetë askund tjetër vetëm në protestë kundër Ramës dhe klikës së tij në pushtet”, tha Berisha.

Ndonëse Berisha shprehet se është protestë kundër Edi Ramës, e ka pranuar hapur se ajo bëhet pikërisht për Samtin e BE. Pra duket se Berisha po shfrytëzon këtë eveniment që të tregojë se ka mbështetje.

Meqë ky është i tmerruar (Rama), mund të bëjë dhe bllokime rrugësh dhe mijëra demokratë mund të kenë vështirësi për të kaluar rrugën. Prandaj të hapim dyert e shtëpive më datë 5 dhjetor të gjithë miqve tanë për t’i strehuar për protestën”, tha ai më tej.

Më tej Berisha deklaroi se ky samit në rrafshin strategjik është në interes madhor për shqiptarët dhe i jep një goditje fatale Ballkanit të Hapur.

Kryesore Berisha takim protesta