
Ish kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar se do të nisë një “betejë finale”, me protesta të qëndrueshme deri në rrëzimin e pushtetit të kryeministrit Edi Rama.
Berisha nuk saktësoi nëse do të shkojnë në zgjedhjet e 14 majit duke e njohur Ramën si kryeministër, por tha se pas skandalit të ish zyrtarit të arrestuar të FBI, McGonigal, Rama “meriton largimin e menjëhershëm dhe procedimin penal”.
Ai tha se nuk kanë ende një datë por që shqiptarët do marshojnë në Tiranë pasi ajo që ka bërë Rama është e pafalshme.
“12 nëntori ishte protesta më e madhe, para saj ka pasur vetëm një protestë aq të madhe 7 korriku, në 6 dhjetor Rama bllokoi cdo gjë. Por tani kalohet në fazën përfundimtare, në protestën e qendrueshme deri në rrëzimin e Ramës. Kur do jetë do vendoset në forumet e partisë, me aleatët.
Me Ramën nuk ka zgjedhje, Rama meriton largimin e menjëhershëm dhe procedimin penal. Një armik i Kushtetutës. Rama e them me bindjen më absolute, nuk mund të mos i them kur shoh se ka përdorur asete ruse kundër opozitës.
Kam thënë se PD nuk merr pushtet tjetër përveçse me zgjedhje, por Rama duhet të japë dorëheqjen një minutë e më parë. Edi Rama është një kriminel ndërkombëtar. Ka kryer një akt të rëndë kundër vendit të tij dhe partnerit kryesor strategjik të Shqipërisë.”, tha ai.