
Ish-kryeministri, Sali Berisha i ka bërë të ditur rivalit të tij politik Edi Ramës se nuk do të fitojë më me vota fiktive. Berisha gjatë një komunikimi me ndjekësit e tij, u shpreh gjithashtu se vota do të mbrohet nga burra e gra, vajza e djem, që do të angazhohen në procesin e administrimit dhe të votimit.
“Vota do mbrohet, votën e mbrojnë burra dhe gra, djem dhe vajza, të cilët qëndrojnë me guxim, me integritet, në procesin e administrimit dhe të votimit.
Vota gjithashtu është delikate, unë mund t’ju them se për zgjedhjet e shkuara, bëra një deklaratë se vota u ekzekutua para se të hynte në kuti dhe kjo mund të ndodhë. Me këtë, nuk desha të hedh poshtë atë punë të shkëlqyer që bënë dhjetëra e qindra demokratë natën e numërimit të votave dhe në vazhdim, por theksova se Edi Rama e shndërroi shtetin në makineri elektorale, vendosi sistemin e patronazhistëve mbi votën, përdori sasi kolosale narko-eurosh për t’i blerë ato.
A heq dorë nga këto Edi Rama? Jo, por ne do e mbrojmë votën më fuqishëm se kurrë. Dhe unë sot, i them në emër tuaj Edi Ramës, i bindur të jesh se kurrë nuk do gëzosh fitore me votë fiktive.”
Ndërsa, i pyetur për protestën e 12 nëntorit, Berisha tha se nuk do të jetë thjesht një xhiro, por një demonstrim i fuqishëm, i forcës së qytetarëve shqiptarë.