Aktualitet24 Mars 2018, 21:30

Berisha: Si e shiti Xhafaj, Edvinin dhe Olsi Ramën në SHBA

Shkruar nga Pamfleti
Berisha: Si e shiti Xhafaj, Edvinin dhe Olsi Ramën në SHBA

Ish kryeministri Berisha e ka cilësuar deklaratën e ministrit Xhafaj dhënë sot te Zëri i Amerikës, një akuzë për Edin dhe Olsi Ramën.

Berisha ka reaguar sot përmes një statusi të gjatë ku ka numëruar akuzat drejtuar “klanit të kokainës” sic thotë ai për Xhafajn, dhe dy vëllezërit Rama.

STATUSI I BERISHËS

Xhafa shkoi për të vënë vetullat po la dhe sytë!

Gënjeshtra e Fatziut tek “Zeri i Amerikës” është një akt akuze e vërtetë për klanin e drogës se Durrësit; Edvin dhe Olsi Rama!
Të dashur miq, tani është bërë e qartë dhe e vetëkuptueshme për mbarë shqiptarët dhe botën se 613 kg kokainë që u kapën në Durrës kishin lidhje me kupolën më të lartë të qeverisë, siç do shprehej RFI, pra me klanin Edvin dhe Olsi Rama.

Pikërisht se është e qartë se sasia prej 180 milionë euro nuk lëvizën pa garantor politik madhor, gazetari i VOA pyeti direkt Xhafën: “A mendoni se ka lidhje mes këtyre grupeve të organizuara, ose këtij grupi që ka bërë këtë dërgesë (kokainën prej 613 kg, shënim i imi) dhe niveleve të larta?” Kësaj pyetje tullë, Fatziu i hutuar iu përgjigj me një seri gënjeshtrash, të cilat shkaktuan një gajasje në të gjithë audiencën e VOA.

Këtu më poshtë po rendisim mashtrimet e tij.
Gënjeshtra e pare! Fatziu deklaroi: “Së pari, duhet të them se ky ishte një operacion i zbatuar tërësisht nga agjencitë ligjzbatuese shqiptare.”
Lidhur me këtë mashtrim të gjitha agjencitë amerikane dhe jo vetëm e dinë sot se 613 kg drogë në Durrës absolutisht nuk u zbuluan nga policia e shtetit as dhe nga dogana apo ndonjë agjenci tjetër shqiptare.

Ato u zbuluan vetëm e vetëm nga kompania private amerikane Rapiscan, dega e saj në Shqipëri dhe nga askush tjetër. Kështu që, me këtë deklaratë para gazetarëve, Fatziu vetëm se tallej me veten e tij dhe faktonte se, për të fshehur gjurmët e lidhjeve politike me klanin Rama, përsëriste si papagall gënjeshtrat e Ramës dhe të tijat. Ky trillim bajat i Xhafës nuk u kapërdi nga gazetari por e detyroi atë një akt të pazakontë por tejet kuptimplotë dhe domethënës t’i përsërisë Fatziut të njëjtën pyetje:
“A ka shenja për lidhje me nivele të larta në Shqipëri, me zyrtarë, me politikanë, nga kanë marrë mbështetje?”

Përsëritjes se pyetjes nga gazetari Fatziu iu përgjigj përsëri me disa gënjeshtra të tjera që e zhyten atë. Gënjeshtra e dytë që fundosi Xhafën është vetë përgjigjja e tij pyetjes së bërë për së dyti nga gazetari. Kështu, Xhafa i kryqëzuar tha:
“Mua personalisht, në cilësinë time si ministër, nuk më rezulton, por mbetet për të parë se çfarë do të nxjerrë hetimi.”

Me këtë përgjigje, së pari Xhafa hoqi përgjegjësinë prej tij dhe e kaloi tek prokuroria. Por nga ana tjetër sot dihet botërisht se Policia e Shtetit, për të fshehur pritësit politikë, pra klanin Rama, prishi hetimet, njoftoi pritësin Cekaj të largohej nga Shqipëria dhe tentoi deri në momentin e fundit të kalonte drogën pa u diktuar, ndonëse ishte njoftuar për përmbajtjen e kontejnerit nga autoritetet kolumbiane dhe italiane.

Vetë Xhafa, fillimisht pohoi se operacioni ishte sukses i bashkëpunimit të policisë, doganave të vendit dhe partnerëve ndërkombëtarë, por disa orë më vonë, pasi me këtë i futi një thikë klanit pritës i cili ishte dhe shkaku i prishjes se hetimeve, përsërit si papagall deklaratën e Ramës, sipas të cilës kapja e drogës ishte vepër ekskluzive e policisë dhe doganave të vendit pa ndihmë të huaj, ndërkohë që ajo ishte vepër ekskluzive e kompanisë amerikane private Rapiscan, e cila jo vetëm zbuloi drogën por edhe më shume, zbuloi gjithashtu përpjekjen e policisë dhe doganave shqiptare për ta fshehur dhe kaluar atë pa diktuar.

Si përfundim, mund të thuhet se Xhafa me intervistën e tij pohoi indirekt të gjitha akuzat për lidhjet politike të ngarkesës prej 180 milionë euro kokainë, siç flitet gjerësisht me klanin Rama, klani politik më i fuqishëm i vendit dhe me lidhje të mirënjohura tejet të ngushta bogotiane. Pra Xhafa shkoi për të vënë vetullat por la edhe sytë! sb

Aktualitet Berisha: Si e shiti Xhafaj Edvinin dhe Olsi Ramën në SHBA