Teksa na ndan vetëm një orë nga nisja e Kuvendit Kombëtar të PD-së të thirrur nga Komisioni i Rithemelimit të Berishës, në Pallatin e Kongreseve kanë filluar përgatitjet për pritjen e delegatëve nga rrethet.
Hyrja e Pallatit të Kongreseve, ku do të mbahet aktiviteti, është mbuluar nga një banderolë ngjyrë blu, me logon e vjetër të PD-së si dhe Kuvendin Kombëtar ku shkruhet slogani: “Më të bashkuar, më të fortë, më të hapur”.
Në rrugicat në hyrje të Pallatit të Kongreseve janë vendosur në të dyja anët flamujt e SHBA-ve, BE-së, Shqipërisë si dhe Partisë Demokratike.
Me këto banderola dhe mesazhe, Berisha po mundohet të zbehë njollën non- grata nga SHBA, që në dokumentat dhe deklaratat e tyre nuk figuron më të jetë pjesë e PD-së.
Në listën e publikuar dje nga Komisioni i Rithemelimit, që do të përbëjë Këshillin e ri Kombëtar të PD, Sali Berisha ka rikthyer figura të vjetra të PD, ish deputetë apo ish ministra që humbi zgjedhjet e 2013-ës.
Mes politikanëve, në garë për një vend në Këshillin e ri Kombëtar, është edhe mjeku i njohur infeksionist Ilir Alimehmeti, por nuk mungojnë as figura të njohura të spektaklit e artit, si Renis Gjoka, Bujar Kapexhiu, Robert Budina, Fjoralba Dizdari, aktivistja Adriana Kalaja.
Në rrugën e baballarëve në listë janë gjithashtu Andi Mustafaj , djali i Besnik Mustafaj si edhe Glauk Olldashi, djali i Sokol Olldashit. Mes 420 emra bie në sy edhe Floriana Garo, Drejtore Komunikimi PD si dhe ish-zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi.




