Ish kryeministri Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm që bën me gazetarët nuk i ka ndalur sulmet ndaj qeverisë Rama.
Berisha akuzoi qeverinë se me nismat për legalizimin e kanabisit, amnistinë fiskale dhe dhënien e shtetësisë me koncesion të njohura ndryshe si “pasaporta e artë” për të huajt, po rrit kriminalitetin në Shqipëri.
Qeveria PPP për “pasaportën”, Tabaku: Rama po zyrtarizon me ligj pastrimin e parave në Shqipëri
“Pasaporta e artë e Edi Ramës është thjesht një thirrje narkotrafikant dhe kriminel të të gjithë rajonit, Europës dhe botës. PD deklaron se pas nismës për legalizimin e kanabisit, ligjit për amnistinë fiskalë, pasaporta e artë është mekanizmi i tretë dhe i fundit i shndërrimit të Shqipërisë në parajsën e drogës, trafiqeve dhe krimit rajonal dhe botëror.
Pasaporta e artë në vendet ku shteti ligjor funksionon është një mundësi e përdorur nga ato qeveri dhe vende për të thithur investime të huaja kurse pasaporta e artë është një kanal i zi për të larë narko eurot e trafikantëve të pashpirt të rajonit, Europës dhe botës në Shqipëri. Është para e cila po shkatërron sot Tiranën, arkitekturën, urbanistikën, trafikun dhe mjedisin e saj. Kjo para ka shndërruar Tiranën në një nga 12 qytetet më të ndotur të planetit.
Pasaporta e artë është mekanizëm shtesë vdekësor për konkurrencën e ndershme dhe bizneset e ndershme në këtë vend. Edi Rama është i njohur për shkatërrimin e klimës së biznesit. Paralajmëroj Edi Ramën se këto praktika kanë synim bllokimin e procesit të negociatave. E paralajmëroj se do të kundërshtohen me të gjithë potencialin që ka opozita”, tha ish kryeministri.