Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka hedhur një tjetër hap përpara sa i takon betejës së nisur prej tij kundër ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ditën e djeshme Gjykata e Tiranës ka caktuar datën për shqyrtimin e kërkesës së PD për ndryshimin e statusit të partisë të votuar në Kuvendin e Partisë Demokratike të 17 korrikut 2021 të thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha, që asokohe mbështetej edhe nga ish-kryeministri Berisha dhe ithtarët e tij.
Seanca e parë që do shqyrtojë këtë çështje nga gjyqtarja Blerina Muça pritet të zhvillohet më 15 shkurt, ku nuk pritet të ketë ndonjë surprizë, pasi ky është një proces rutinë dhe kërkesa e Bashës për të regjistruar Statutin e ri të PD pritet të marrë “bekimin” dhe aprovohet lehtësisht.
Momentalisht në gjykatë përveç kërkesë së Lulzim Bashës, ndodhet edhe kërkesa e Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, e cila kërkon miratimin e ndryshimeve statutore të bëra në Kuvendin e datës 11 dhjetor të mbajtur në stadiumin “Air Albania”, të thirrur nga Berisha dhe mbështetësit e tij. Por për këtë të fundit gjykata nuk ka caktuar ende një datë se kur pritet të shqyrtohet, duke bërë që favorit të shihet Basha dhe miratohen ndryshimet në Statutin e PD të mbështetur prej tij.
Përfundon në “Kalendat Greke” plani i Berishës
Por zhbllokimi i kërkesës së kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës në gjykatë, ka çuar drejt “Kalendave Greke” planin e Berishës. Ky i fundit prej disa javësh, kohë kur urdhëroi Komisionin e Rithemelimit të Partisë Demokratike që të regjistrojë Statutin e PD të dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit të thirrur prej tij, i ka sytë tek gjykata. Arsyeja është se ai shpreson se Gjykata e Tiranës do të miratojë statutin e tij, në mënyrë që ta ketë të lehtë marrjen në kontroll të selisë blu dhe Partisë Demokratike.
Mirëpo në kushtet kur nga gjykata nuk po del “tym i bardhë” për ish-kryeministrin Berisha, situata merr tjetër rrjedhë, çka hedh në erë planet e ish-liderit demokrat. Kjo do të thotë se shanset që fitues në betejën e nisur në Gjykatën e Tiranës ta ketë Lulzim Basha, sepse kërkesa e tij për të regjistruar Statutin e ri të PD pritet të ndodhë e para, në një kohë që për kërkesën e Berishës nuk ka ende një datë. Pra, nisur nga kjo analizë, plani i Berishës për të regjistruar startin e ri të Partisë Demokratike dhe marrë kontrollin e PD-së përfundon në “Kalendat Greke”.
Megjithatë mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht. Kujtojmë se kryedemokrati Lulzim Basha propozoi 11 ndryshime në statutin e Partisë Demokratike, duke përfshirë zgjerimin e kryesisë me të tjerë anëtarë dhe shtimin e numrit të sekretarëve. Basha gjithashtu krijoi edhe Këshillin Koordinues të Qarkut për organizimet elektorale, ndërsa nuk kishte asnjë propozim në lidhje me mandatin e kryetarit. Së fundi, kreu i PD-së, Lulzim Basha është vendosur në ballë të akuzave nga kundërshtarët e tij politik se për përjashtimin e ish-kryeministrit Berisha nga Partia Demokratike nuk u respektua Statuti i Partisë./Gazeta Sot