Editorial 4 Nëntor 2022, 10:13

Biem në Tiranë e vritemi mes veti, ka thënë Saliu

Shkruar nga Pamfleti

Biem në Tiranë e vritemi mes veti, ka thënë Saliu

Atëherë kishte thërritur, sa kishte në grykë, në mitingun e formuar nga mijëra: ‘Ma merrni me vete atë njeri, e due në Tiranë unë atë…, kapeni…, e due në Tiranë…, ma merrni me vete”.  Thërriste për një djalosh nga të Haklajt që i prishi mitingun. E donte me vete që ta therte si berr, o rrugës, o në Tiranë’.

Shkruan Frrok Çupi

Tani ka nisur të dëshmojë mbi ‘pazarin e gjakut’, siç ishte bërë atëherë. Para dy ditësh tha se tropojanët ‘nuk deshën të më vrisnin mue, por Azemin’. Një president republike, sot e kësaj dite, ndan receta gjaku mes popullit që ka dhunuar.

U hap kutia, kush ka vrarë cilin, atëherë e deri më sot. Kjo lë të nënkuptohet se ‘erdhën nga Tropoja për t’u vrarë mes veti në Tiranë’.

Atëherë kishte thërritur, sa kishte në grykë, në mitingun e formuar nga mijëra: ‘Ma merrni me vete atë njeri, e due në Tiranë unë atë…, kapeni…, e due në Tiranë…, ma merrni me vete”.  Thërriste për një djalosh nga të Haklajt që i prishi mitingun. E donte me vete që ta therte si berr, o rrugës, o në Tiranë’.

Pas kësaj, Muharrem Haklaj- babai i pesë vëllezërve që tash nuk kanë as varre, kishte ardhur në Tiranë te Sali Berisha po për ‘punë gjaku’.

Pas kësaj, motra e Haklaj denoncoi Sali Berishën si vrasës i të vëllezërve dhe dhunues i varreve. Ajo është betuar për hakmarrje. Prapë hakmarrja mund të kryhet në Tiranë.

Para kësaj vetë Berisha e kishte zhveshur nga imuniteti tropojanin tjetër, Azem Hajdari, duke e bërë gati për vrasjen, si ‘berrin’ që po e tërhiqte nga Tropoja. Vetë Azemi e pohonte me zë të lartë se ‘do ta vriste Berisha’. Larg prej moralit të tij politik, ai detyrohej të bënte ‘greva urie në shtëpi’… ‘E di se nuk shkon, por po dola, më vret ai’, thoshte.

Në Tropojë u vranë rreth 200 djem, shumica prej tyre në Tiranë ose në rrethina. Vetë vrasja e Azemit, e kryer në mes të Tiranës, ishte modeli se ‘atje jetuam bashkë, por ramë poshtë e u vramë në sheher’. ‘Demokracia’ ktheu traditën e keqe e të kapërcyer prej dekadash, kur malësorët zbrisnin në pazarin e Shkodrës për të marrë hak në metropolin e veriut. Kafja e Madhe ishte ‘arena e gjakut’, siç u bë pas viteve ’90 oborri i PD para kështjellës së Toptanit.

Presidenti i Republikës ishte pjesë ‘e pazarit’ të të vrarëve, në mos në qendër të gjakut.

Pardje, ish presidenti Berisha, hapi një kuti të vrasjeve, kutinë e Tropojës. Ai deklaroi se ‘Haklajt nuk erdhën të më vrisnin mua…’. Deklarata më e tmerrshme e shekullit: Një president republike në kontinentin europian, mban ende regjistrin e gjakut: Cili u vra, cili do të vritej, cili nuk është vrarë ende! Akoma me tragjike kur vetë presidenti deklaron se ishte ‘objekt i gjakmarrjes’ nga ata të fshatit. Duke deklaruar se ‘nuk erdhi për mua’, subjekti i një krimi ka deklaruar të kundërtën, se ‘kishin ardhur për mua’. Aq më tepër për Berishën i cili është modeli i shtrembërimit të të vërtetës. Ai e di edhe sot se disa familje në Tropojë e kanë shpallur ‘në gjak’. Berisha mban roje personale, roje trupore, jelek antiplumb dhe në raste tubimesh thërret dhjetë a njëzet truproje civile kryesisht nga Tropoja. Vetë akti i Berishës, aq sa dëshmon frikë, aq dëshmon edhe nxitje e thirrje ‘për gjak’.

Në vitet e pushtetit të tij e ‘theu’ hartën e Shqipërisë në dy pjesë: Nga Veriu armatosi militantët në luftë të përgjakshme kundër Jugut të vendit; dhe e kreu luftën ku u vranë rreth 3 mijë. Aty ku ‘thyhej’ harta e vendit, aty ishte mesi, ku Berisha kishte zbritur me thirrjen: ‘Le të biem në Tiranë e vritemi mes veti’.

Tani regjistri i vrasjeve që shtrëngon Berisha, është si libri i vajtojceve që i vajtojnë një nga një të vrarët dhe aludojnë për gjakmarrje./ Pamfleti

Editorial Biem në Tiranë e vritemi mes veti Frrok Cupi Sali Berisha

Editorial