Info nga Ministria e Ekonomi-Financave/ Shumë shpejt, transaksionet që do ekzekutojë Thesari i Shtetit, do tregojnë se nga sa milionë lekë kanë harxhuar “sheikët e delegacionit qeveritar “Rilindja” në Dubai, ku sipas informacionit, përveç hotelit e restorantit, shefat Fuga, Ahmetaj, Balluku e Mazniku kanë shënuar si shpenzime dhe shërbimin taxi, relakset në sauna etj.
Në pamundësi, për ta quajtur montazh e shpifje video-darkën luksoze të sheikëve të qeverisë “Rilindja”, shtruar në restorantin “Nusr-ET” në Dubai; kryeministri Rama tentoi të “pastronte” imazhin, duke thënë se nuk e kishte paguar qeveria, por bosi që do ndërtojë Kompleks-Portin me kulla në Durrës.
Këtë e përsëriti disa herë ERTV-ja dhe mediat në shërbim të bablokut, duke thënë se buxheti i shtetit, nuk ka paguar asnjë qindarkë nga taksat publike, madje as shpenzimet e 9 gazetarëve të 3 TV-ve që i bëjnë fresk qeverisë.
Paçka se kryeministri Rama, ka dhënë prova se nuk mund të besohet; edhe mund ta besonim deklaratën e tij; mirëpo një mesazh konfidencial që na ka ardhur nga Ministria e Ekonomi-Financave, thotë krejt të kundërtën.
Sipas informacionit, ditën e martë, në ministrinë e Ekonomi-Financave, janë paraqitur Fletë-Shërbimet për dietat e grupit qeveritar, familjar e mediatik pro qeveritar; që kishte dërguar Babloku në Dubai, për të takuar bosin që do investojë në Portin Detar turistik.
Duke qenë delegacion qeveritar, me përfaqësim nga kabineti kryeministror, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Rindërtimit, Ministria e Financave, Bashkia Tiranë dhe 3 media të angazhuara për kronikat qeveritare, kjo pagesë shpenzimesh do ekzekutohet si paketë financiare speciale “Fond i veçantë” jashtë planifikimit.
Jo se kryeministria, ministritë e Bashkia Tiranë, nuk kanë fonde qejfi e piknikësh, por sepse përbërja e delegacionit është me 26 persona; dhe kostoja e 4 ditëve shërbim është tepër e lartë, ndaj duhet të dalë nga buxheti qendror, prej ministrisë së parave.
Fakti, që Endri Fuga me gruan, futur në delegacion me statusin “Eksperte Komunikimi”, dhe “Tigri”, Balluku e Mazniku, kanë paraqitur kërkesat për pagesa dietash, tregon një të vërtetë të fshehur dhe krijon 1 dyshim logjik:
– Së pari, kryeministri gënjeu publikisht shqiptarët, mbasi shpenzimet e piknikut të 17 qeveritarëve e 9 gazetarëve, do paguhen nga shteti.
– Sipas kryeministrit Rama, qeveritarët e tij biftekxhinj të Dubait, pasi bosi i Portit, u ka paguar atë darkë e disa dreka dhe darka të tjera dhe krejt kostot e qëndrimit (siç tha Mazniku), po vjedhin shtetin me fatura shpenzimesh false, të marra nga restoranti “Nusr-ET”, hoteli etj.
Shumë shpejt, transaksionet financiare që do ekzekutojë Thesari i Shtetit, do tregojnë se sa miliona lekë, ka shpenzuar delegaconi qeveritar i Dubait e secili prej sheikëve të “Rilindjes” e gazetarëve të saj; ku sipas informacionit, përveç hotelit e restorantit, shefat Fuga, “Tigri, Balluku e Mazniku kanë shënuar si shpenzim dhe shërbim ‘Taxi’, relakset në palestra, sauna etj./Pamfleti