Bota14 Gusht 2022, 18:31

“Bild”: Gjermania drejt destabilizimit, priten protesta masive për shkak të krizës energjitike

Shkruar nga Pamfleti
“Bild”: Gjermania drejt destabilizimit, priten protesta masive

Kriza energjitike që pritet të mbërthejë Gjermaninë pritet të sjellë një reagim mjaft të fortë publik.

Mediat vendase shkruajnë se ekziston frika e një skenari destabilizues, pasi parashikohet një dimër shumë i ftohtë për gjermanët.

Këtë fundjavë, rreth 400 aktivistë të kundër ndryshimeve klimatike bllokuan për disa orë linjën hekurudhore në portin e Hamburgut, në shenjë proteste kundër rivënies në përdorim të qymyrit për prodhimin e energjisë, djegia e të cilit prodhon më tepër dioksid karboni si gjithë karburantet e tjerë. Protesta të tilla po zhvillohen gati çdo ditë dhe intensiteti i tyre po shtohet, jo vetëm nga mbështetësit e politikave pro-mjedisit, por edhe nga ekstremistët, si të majtë ashtu edhe të djathtë.

Sipas “Bild”, 65% e gjermanëve të pyetur në një sondazh janë të bindur se në vjeshtë dhe dimër të këtij viti do të ketë protesta masive dhe trazira në gjithë vendin. Motivet kryesore, mungesa e gazit për prodhimin e energjisë elektrike dhe për ngrohje, si dhe rritja drastike me gati 70% deri më tani e kësaj lënde për konsumatorët familjarë.

Kjo frikë mbizotëron edhe në radhët e qeverisë dhe deputetëve gjermanë, siç pohoi në një shkrim më herët këtë javë media tjetër gjermane Dojçe Vele. Në një intervistë, po këtë të diel për Bild-in, Ministrja Gjermane e Brendshme Nensi Fezer shprehet se qeveria është në alarm nga rreziku i sulmeve të ekstremistëve, veçanërisht ndaj rezervave të gazit, pasi për të përfituar politikisht, këto grupime mund t’i sulmojnë ato. E nëse Gjermania, motori ekonomik i Bashkimit Europian, pasojat janë të paparashikueshme për të gjithë kontinentin.

Ndërsa “Deutche Welle” shkruan se qeveria federale ka frikë se mund të ketë protesta të dhunshme në dimër. Ndoshta të nxitura nga grupe ekstremiste që duan të shfrytëzojnë situatën e tensionuar për qëllimet e tyre. Kancelari Olaf Scholz ishte çuditërisht i hapur për natyrën e tij të qetë. Në një intervistë për ARD-në, ai foli për “eksploziv social”, nëse shumë njerëz marrin faturat e energjisë me rritje prej disa qindra eurosh më së voni deri në vjeshtë. “Jam shumë i shqetësuar”, theksoi politikani i SPD-së.

Ai e quajti gjendjen si një “fuçi sociale baruti” duke shtuar se kancelari dhe qeveria e tij po përpiqen të evitojnë shkaqet për trazira sociale. “Duke përdorur narrativën e eksplozivëve socialë, kancelari po përpiqet të përgatisë popullatën për vendime të rëndësishme”, tha për DË Ricardo Kaufer, profesor i sociologjisë politike në Universitetin e Greifswald. “Kjo synon të inkurajojë të gjithë aktorët që potencialisht mund të vënë veton ndaj masave të politikës sociale me ndikim të gjerë për të bërë kompromis”, tha ai.

Bota destabilizimi Gjermani Protesta