Politike16 Shtator 2019, 18:16

BIRN/ PD nxjerr dokumentin e tretë: Kryebashkiaku i Vaut të Dejës i arrestuar në Siçili

Shkruar nga Pamfleti
BIRN/ PD nxjerr dokumentin e tretë: Kryebashkiaku i Vaut të Dejës

BIRN/ PD nxjerr dokumentin e tretë: Kryebashkiaku i Vaut të Dejës i arrestuar në Siçili

Për herë të tretë brenda një muaji, Partia Demokratike publikoi dokumente të autoriteteve italiane, sipas së cilës tregojnë se edhe kryetari i Bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani ka një të shkuar kriminale në Itali.

“Mark Babani, me emrin e rremë Marq Babaj është arrestuar me datë 4 prill 1994 në Itali, në zonën e Siçilisë për kryerjen e veprës penale ‘vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim’,” tha sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, duke e prezantuar dokumentin si të nxjerrë nga sistemi italian i Burgjeve.

“Mark Babani alias Marq Babaj ka qëndruar në burg deri më datën 6 Maj 1994 dhe më pas është dënuar dhe dëbuar nga shteti Italian,” shtoi Bardhi.

Dokumenti i publikuar nga Bardhi tregon se shtetasi Marq Saimir Babaj i datëlindjes 11 qershor 1967 është arrestuar më 4 prill 1994 në Agrigento të Siçilisë për vjedhje në rrethana rënduese të automjeteve.  Sipas Bardhit, Marq Saimir Babaj është emri i rremë i përdorur nga kryebashkiaku aktual të Vaut të Dejës, Mark Babani, ndaj të cilit kërkoi ndjekje penale për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit.

Ligji i dekriminalizimit ndalon nga kandidimi personat ndaj të cilëve është marrë një masë arresti, dënimi apo dëbimi nga një prej vendeve të Bashkimit Europian. Në formularin e dekriminalizimit të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve para kandidimit, Mark Babani ka deklaruar mbajtjen më parë të mbiemrit Babaj si dhe emigrimin në Itali në vitet 1991-1995, por ai u është përgjigjur negativisht pyetjeve nëse ka qenë i arrestuar, dënuar apo dëbuar nga ndonjë vend i Bashkimit Europian.

I pyetur nga BIRN mbi të shkuarën e tij në Itali, kryebashkiaku Babani mohoi çdo lidhje me emrin Marq Babaj dhe tha se do të bënte kallëzim penal për shpifje ndaj sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhi. Babani mohoi gjithashtu të ishte kontaktuar deri më tani nga Prokuroria në lidhje me këtë çështje.

“Asgjë s’ka lidhje me mua, me emrin tim apo me jetën time,” tha Babani, duke hedhur poshtë akuzat se ka përdorur emrin e rremë Marq Babaj në Itali. “Unë kam pasur soxhorno [leje qëndrimi] me emrin tim nga viti 1991-2003 në Itali dhe do të bëj denoncim penal për shpifje ndaj Gazmend Bardhit,” shtoi ai.

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës është i zgjedhuri i tretë i Partisë Socialiste që akuzohet nga Partia Demokratike për falsifikimin e të shkuarës kriminale, si pjesë e betejës së saj të gjatë kundër lidhjeve të krimit me politikën. Valdin Pjetri, kandidati i PS-së për Bashkinë e Shkodrës u detyrua të tërhiqej nga marrja e mandatit pas publikimit të një dënimi me 18 muaj burg për shpërndarje droge në Firence të Italisë.

Ndryshe nga Pjetri, kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, i akuzuar nga PD se ishte ende në kërkim nga autoritetet greke për veprën penale të falsifikimit të kartmonedhave u ka rezistuar akuzave dhe është në pritje të verifikimeve të Prokurorisë së Përgjithshme.

Prokuroria e Përgjithshme ka deklaruar përmes njoftimeve për shtyp se nuk ka ende vendime për Valdrin Pjetrin dhe Agim Kajmakun, pasi nuk ka marrë ende përgjigje nga autoritetet e drejtësisë italiane dhe greke. Rasteve të mësipërme u është shtuar edhe emri i Mark Babanit, për të cilin Prokuroria tha të hënën se ka nisur verifikimet./BIRN

Politike kryetari i bashkisë së Vaut të Dejës Mark Babani Partia Demokratike