Drejtësia italiane përgjonte sekserin e famshëm të politikanëve Valter Lavitola, në bisedë doli edhe Ilir Meta, në Itali u trondit shteti, në Shqipëri nuk ndodhi asgjë
Valter Lavitola njihet si një sekser në qarqet e larta të qeverisë italiane dhe politikanëve.
Në vjeshtën e vitit 2011, ai ishte nën hetime për mashtrime dhe pazare të mëdha. Drejtësia italiane e kishte vënë nën përgjim. Nga përgjimi i bisedave telefonike të Lavitolës, dolën në pah politikanë të ndryshëm italianë që bënin pazare, por nuk mund të mungonte as Ilir Meta, i konsideruar nga ndërkombëtarët si një nga kokat e korrupsionit në Ballkan.
Kur dolën hetimet e para për një lidhje të Metës me sekserin e qeverisë italiane, Iliri e mohoi. “Mbaj mend mirë takimin, por nuk mbaj mend kush ishte përveç ministrit Fratini”, ka theksuar Meta.
Kur nisën të dilnin fotot, Meta ndryshoi version.
“Sqaroj se prezenca e një drejtuesi të një gazete italiane në foton e paraqitur në media, e marrë gjatë konferencës së shtypit me homologun Fratini është krejtësisht e rastësishme, dhe nuk ka asnjë lidhje me asnjë aspekt institucional apo zyrtar të vizitës. Personi në fjalë njihet prej meje prej kohësh si drejtor i gazetës ”L’Avanti”, tha Meta.
Por, nuk kishte vetëm foto. Kishte përgjime mes Metës dhe sekserit italian.
Gjatë një vizite të Metës në Itali, ata kanë folur bashkë dhe më pas janë takuar. Nga biseda duket se Meta e ka marrë në telefon Lavitolan për të fiksuar takimin një ditë përpara se të shkonte në zyrën e ish-ministrit të Jashtëm Italian, Franko Frattini. Në një moment gjatë telefonatës, Meta i kalon Lavitolas në telefon shefin e tij të kabinetit Sokol Dervishaj.
Dervishaj cakton orarin e takimit me Metën, pikërisht pas takimit me Fratinin. Lavitola kërkonte të bënte pazare me Ilir Metën për projektin e gazsjellësit. Bëhet fjalë për gazsjellësin TAP, që lidh Turqinë me Italinë përmes Shqipërisë. Në pazare ishte përfshirë edhe ish-ministri i Jashtëm Italian, Franko Frattini.
La Reppublica shkroi se ekzistonte edhe video që konfirmonte realizimin e takimit dhe se krahasuar me foton e publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme italiane rezulton që Fratini dhe Meta kanë të njëjtat kollare me këtë të fotos ku ndodhen së bashku me Lavitolan.
Politika italiane reagoi ashpër pas skandalit. Massimo Donadi theksoi se kryediplomati italian Franko Fratini merr urdhra nga sekserë të tipit, Lavitola, i cili është në kërkim. Riccardo Nencini, sekretari i Partisë Socialiste italiane, theksoi se pas skandalit, Fratini nuk ishte më i përshtatshëm për të përfaqësuar Italinë.
Në Shqipëri ky skandal u mbulua me skandale të tjera dhe shumë shpejt u harrua./Pamfleti
Biseda e midis Metës dhe Lavitolës
-Valter Lavitola: Po
-Ilir Meta: Mirëmbrëma! Mirëmbrëma!
-Valter Lavitola: Ooo.. si jeni!
-Ilir Meta: Shumë mirë, shumë mirë! Ilir Meta ju flet!
-Valter Lavitola: Çdo të bëjmë atëherë? Do të hamë së bashku?
-Ilir Meta: Eee…. a mund të flisni me shefin tim të kabinetit?
-Valter Lavitola: Po, po. Patjetër. Faleminderit!
-Ilir Meta: (foli Koli)
-Sokol Dervishaj: Përshëndetje!
-Valter Lavitola: Alo! Përshëndetje!
-Sokol Dervishaj: Unë jam Sokoli, shefi i kabinetit të zotit Meta.
-Valter Lavitola: Unë jam Valter. Kënaqësi që flasim. A mundet që z.Meta të darkojë sonte me mua?
-Sokol Dervishi: Sonte është e pamundur pasi ne kemi një takim me ambasadorët eee….eeee…
-Valter Lavitola: Alo…
-Sokol Dervishi: Eee….eeee… është e pamundur
-Valter Lavitola: Po mirë. Kur dëshiron ai të takohet me mua?
-Sokol Dervishi: A mund të flasim më vonë sepse nuk e di ende…..eeeee….. sa hapësirë kemi për të bërë këtë…
-Valter Lavitola: Nesër në çfarë ore do të jeni në Ministrinë e Jashtme? Në 11 më duket?
-Sokol Dervishi: Nesër eee…. kemi një tjetër takim në orën 11.
-Valter Lavitola: Atëherë nesër ju keni një takim në orën 11? E vërtetë?
-Sokol Dervishi: Në 11 po.
-Valter Lavitola: Atëherë. Do të jem edhe unë në fund të këtij takimi. Iliri kur dëshiron të takohet me mua, përpara kësaj mbledhjeje apo pas saj. Si dëshiron ai?
-Sokol Dervishi: Më pas besoj është më mirë.
-Valter Lavitola: Shumë mirë. Atëherë ne takohemi nesër tek Ministria e Jashtme dhe do jem edhe unë aty. Atëherë takohemi pasi të shihemi tek ministria. Nuk e mbaj mend a jua thashë që Berlusconi nuk do të jetë pasi është nisur për në Rusi dhe ju bën shumë të fala dhe pastaj shikojmë për një takim. Atëherë shihemi nesër në Ministrinë e Jashtme.
-Sokol Dervishi: Po, po. Faleminderit!
-Valter Lavitola: Faleminderit!