Aktualitet19 Gusht 2022, 20:49

Bisedimet Kosovë- Serbi pa rezultat, diplomati amerikan zbulon “trukun” që mund të ndryshojë gjithçka: Serbia duhet të shkëputet nga Moska!

Shkruar nga Pamfleti
Bisedimet Kosovë- Serbi pa rezultat, diplomati amerikan zbulon

Ish-ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby, në një koment referuar takimit Kurti- Vuçiç në Bruksel, deklaron se dialogu mes palëve ka disa probleme të mëdha dhe pa tejkalimin e tyre është vështirë të arrihet një rezultat.

Në një intervistë për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, Kirby tha se një nga problemet kryesore të dialogut me palëve është orientimi i Beogradit drejtë Moskës.
Sipas Kirby, e vetmja mundësi për të arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, është që Bashkimi

Evropian të vendos në tavolinë një “shpërblim” për çdo lloj ngërçi të tejkaluar nga palët. Vetëm nëse Brukseli iu konfirmon palëve se mund të fitojnë anëtarësimin në BE përmes dialogut, do të mund të arrijë më në fund distancimin përfundimisht të Serbisë nga influenca ruse.

Për diplomatin amerikan nuk është surprizë që dialogu i së enjtes në Bruksel përfundoi pa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, pasi çështjet që nxitën tensionet kohët e fundit në Veri nuk janë problemi kryesor.

Çështja e parë është, a beson Serbia se rruga drejt anëtarësimit në BE është vërtet e hapur? Kjo nuk është e qartë. E dyta, nëse kjo rrugë është e hapur, a dëshiron ende ta ndjekë atë rrugë? Ka ditë që dëgjojmë se po, duan ta ndjekin atë rrugë, por veprimet e tyre nuk e thonë këtë. Këtu duhet të shikoni marrëdhëniet që ka me Rusinë, një lidhje kjo që bien ndesh me vlerat e Bashkimit Evropian”, tha Kirby.

Pas rritjes së tensioneve në Veri të Kosovës, diplomatët perëndimorë, përfshirë Uashingtonin, u aktivizuan menjëherë duke e qetësuar situatën dhe duke nxitur palët të rinisnin dialogun në Bruksel.

Ndërkohë që zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha të enjten se dialogu Kosovë Serbi po vëzhgohet me përparësi nga SHBA-ja. Price gjithashtu bëri të qartë se edhe pse Uashingtoni është i përfshirë aktivisht për të ndihmuar palët, zgjidhja e problemeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit mund të bëhet vetëm përmes BE-së.

Lidhur me këto deklarata, ish-ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby tha se ndan të njëjtin mendim me zëdhënësin e Departamentit të Shtetit. Për diplomatin, emërimi i Christopher Hill-it si ambasador amerikan në Beograd është një gjë shumë e mirë, pasi ai e ka vëmendjen e duhur të Uashingtonit.

Mendoj se mund të ndihmojmë veçanërisht në inkurajimin e Kosovës që të pranojë një ofertë të arsyeshme. Besoj se Chris Hill mund të jetë i dobishëm kur ka diçka për t’i ndihmuar dhe serbët duhet të kuptojnë se SHBA-të do ti qëndrojnë pranë. Mund të ketë edhe gjëra të tjera të nevojshme në lidhje me këtë, që ne mund të luajmë një rol të rëndësishëm. Por, në fund çmimi i madh është anëtarësimi në BE, jo anëtarësimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Sipas, ish ambasadorit momentalisht nuk pritet të ketë ndonjë zgjidhje përfundimtare pasi asnjëra palë nuk është gati të bëjë lëshime reciproke, duke qenë se nuk ofrohet asnjëlloj çmimi joshës në tavolinën e bisedimeve sikurse është anëtarësimi i dy vendeve në BE.

Mendoj se nëse BE-ja është ende e përkushtuar, që Serbia të jetë anëtare, nëse Serbia konfirmon vendosmërinë e saj për t’u bërë anëtare, dhe Kosova është e bindur për të njëjtën gjë – gjithçka do të mund të kalojë. Megjithatë, nuk mendoj se udhëheqësit aktual të Kosovës dhe Serbisë janë të gatshëm për lëshime reciproke, përpos nëse ka ndonjë shpërblim të rëndësishëm. Nuk besoj se dy palët mund të diskutojnë dhe bien dakord për diçka. Duhet të ketë një shpërblim në fund. Shpërblimi gjithmonë kam besuar se është anëtarësimi në BE”, tha Kirby.

Një tjetër problem, sipas Kirby-t, janë edhe interesat politike të vet udhëheqësve të përfshirë në dialog. Si Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç, nuk dëshirojnë të dëmtojnë jo vetëm interesin kombëtar, por edhe karrierat e tyre politike.

Pra, zgjidhja duhet të jetë edhe në interesin e Aleksandar Vuçiçit dhe interesin e Serbisë, si dhe duhet të jetë në interesin e Kosovës dhe të Albin Kurtit. Deri tani nuk e shoh që kjo po ndodh, jo menjëherë. Së pari duhet shpjeguar se cilat janë këto interesa dhe si mund të afrohen ato”- u shpreh ai.

Pavarësisht të gjithave ish ambasadori amerikan shprehet optimist për zgjidhjen e ngërçit me dialog konsensual nga të dyja palët.

Unë e konsideroj Evropën jo të plotë pa Serbinë. Dhe dialogu aktual duhet të përfundojë që kjo të ndodhë. Jam optimist, por jo në kuptimin që mund të ndodhë sot apo nesër, por ndoshta në minutin e fundit. Por i gjithë dialogu nuk do të zgjidhet menjëherë”– tha Kirby, duke shtuar se fillimisht duhet të zgjidhet në një farë mënyre rrëmuja e krijuar nga Moska në Ukrainë.

Kryesore Dialogu Kosove Serbi