
Bizneset e vogla dhe ato të mesme janë shprehur kundër amnistisë fiskale pasi sipas tyre nuk ju shërben qytetarëve por interesave të krimit, korrupsionit, evazionit fiskal, informalitetit dhe pastrimit të parave të pista, kjo sipas tyre do të qonte në shkatërrimin e konkurencës së lirë.
Reagimi i tyre ka ardhur me anë të një deklarate nga Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Albert Nasto, i cili u shpreh se një vendimmarrje e tillë duhej fillimisht të futej në një proces gjithëpërfshirës me grupet e ndryshme të interesit duke e bërë një gjë të tillë propozimi për amnistinë do të ishte më transparent dhe më i besueshëm.
Por sipas tij përderisa diçka e tillë nuk ka ndodhur kjo tregon se amnistia bëhet për të favorizuar interesat e oligarkëve, korrupsionin, evazionin fiskal, in formalitetin, pastrimin e parave të pista, përfshirjen me anë të ligjit të vjedhjeve dhe abuzimeve të miliarda eurove me koncesionet apo PPP-të.
“Në vendet në zhvillim amnistitë bëhen me transparencë maksimale, duke u konsultuar edhe me grupet e ndryshme të interesit, pra, është një proces gjithëpërfshirës. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani me projektligjin e qeverisë, i cili ende nuk është përfundimtar dhe nuk ka për të qenë me këtë qeverisje e cila mbron interesat e oligarkëve. Projektligji shërben interesave të krimit, korrupsionit, evazionit fiskal, in formalitetit, pastrimit të parave të pista, përfshirjes me anë të ligjit të vjedhjeve dhe abuzimeve të miliarda eurove me koncesionet apo PPP-të dhe formave të tjera të abuzimit financiar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë”, tha ai.
Nasto tha se prej kësaj nisme mund të amnistohen vetëm parat e pista të ndoshta miqve dhe shokëve të kësaj qeverie, dhe as që mund të bëhet fjalë për të amnistuar paratë e emigrantëve Ai shtoi se nuk ka nevojë të jesh ekonomist për të kuptuar që nuk mund të ketë punëtorë me paga të tilla që të bësh 2 milionë euro pasuri edhe nëse pagën e shumëzon me 30 vite punë.
Tek sa akuzoi qeverinë për mungesë transparence mbi këtë nismë të rikthyer, dy vite pasi u tërhoq, Nasto tha se kostot e saj janë të mëdha. Amnistia, sipas tij, do të shkatërrojë tregun dhe konkurrencën e lirë.
“Ky projekt i shërben vetëm një pjese shumë të vogël qytetarësh, të cilët mund të numërohen me ditët e një muaji dhe aspak me pjesën e qytetarëve të zakonshëm. Deri më tani nuk është konsultuar as me qytetarët, as me biznesin dhe ka 0 transparencë mbi qëllimin e vërtetë dhe im paktin në buxhet dhe ekonomi. Ne gjykojmë që kjo amnisti do të shkatërrojë tregun dhe konkurrencën e lirë dhe të ndershme, ndaj s’duhet të miratohet, sepse demet që do të sjellë janë të shumta, ndërsa përfitimet janë minimale apo të papërfillshme. E ritheksoj, qëndrimi ynë është që as që duhet menduar kjo lloj amnistie e jo më të bëhet ligj”, thekson më tej kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm”, përfundoi Nasto.