Kronike28 Shtator 2022, 16:57

Biznesmeni turk i kriptomonedhave drejt ekstradimit, prokuroria dorëzon kërkesën në gjykatë

Shkruar nga Pamfleti
Biznesmeni turk i kriptomonedhave drejt ekstradimit, prokuroria dorëzon

Prokuroria ka nisur procedurat për ekstradimin e turkut Faruk Fatih Ozer. Pas vendimit të pak ditëve më parë për ta lënë në burg, biznesmeni i kriptomonedhave rrezikon të kthehet në Turqi.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan njofton se sot më datë 28.09.2022 ka depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan kërkesën për ekstradimin në Turqi të shtetasit turk të arrestuar më datë 30.08.2022 Faruk Fatih Ozer. Autoritetet turke të drejtësisë kanë transmetuar përmes Ministrisë së Drejtësisë materialet e plota që kanë të bëjnë me kërkesën për ekstradim në Turqi të shtetasi Faruk Fatih Ozer, në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Paqit e Shkallës së Parë Nr.7 në Stambollin Anadollian me vendimin datë 07.05.2021 ka caktuar ndaj këtij personi masën e sigurisë “Arrest në burg” për disa vepra penale të kryera në Turqi“, thuhet në njoftim.

Faruk Fatih Özer dyshohet se u arratis nga Turqia me 2 miliard dollarë cash, të cilat i kishte fituar duke mashtruar dhjetëra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në monedhën virtuale turke “Thodex”, e cila shpalli falimentin.

Ai kishte mashtruar rreth 360 mijë përdorues të kompanisë së tij, ‘Thodex’.

Özer u arratis nga Turqia në 20 prill 2021 dhe u strehua në Shqipëri. Autoritetet turke nisën një hetim më 22 prill, pas një raporti se përdoruesit nuk mund të hynin në llogaritë e tyre të kriptomonedhave Thodex dhe se pronari i kompanisë kishte ikur jashtë vendit.

Kronike #Faruk Fatih Ozer Ekstradimi