
Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov do të vizitojë Turqinë me një delegacion ushtarak më 8 qershor për të diskutuar krijimin e një korridori të mundshëm detar për eksportet bujqësore ukrainase.
Ky lajm është bërë i ditur ditën e sotme nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.
Duke folur për agjencinë shtetërore të lajmeve, Cavusoglu tha se korridori humanitar për anijet që transportojnë ushqime është ndër temat kryesore që do të diskutohen.
Ndërkohë, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i tha homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një telefonate të hënën se Ankaraja po i kushton “rëndësi të veçantë” përpjekjeve për të krijuar një korridor të sigurt për eksportimin e produkteve bujqësore ukrainase përmes detit.
Të premten, Zelensky tha se 22 milionë tonë drithë, që përbën gati gjysmën e furnizimit të eksportit të grurit të Ukrainës, po frenohet nga bllokimi i rrugëve kryesore të eksportit nga Rusia përmes Detit të Zi dhe Detit Azov.
Erdogan i tha Zelenskyt se Turqia po bënte çdo përpjekje për të vazhduar negociatat midis Moskës dhe Kievit dhe është e gatshme të ofrojë më shumë mbështetje, përfshirë ndërmjetësimin, sipas një leximi turk të thirrjes.