
Bordi transparencës është mbledhur sot për herë të parë për vitin 2023, (pasi mbledhja e fundit ishte me 20 dhjetor 2022) dhe ka vendosur të ndryshojë sërish çmimet e karburanteve në tregun tonë.
Sipas vendimit të marrë sot nga Bordit, një litër naftë, nga 199 lekë/litër që ishte, është rritur në 208 lekë/litër . Benzina nga 177 lekë/litër që ishte, është rritur në 189 lekë/litër. Ndërsa gazi mbetet i pandryshuar në 71 lekë/litër.
Lista e çmimeve:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 189 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 177 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet.
Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 114 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 17 Janar, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.