Aktualitet 7 Tetor 2022, 15:04

Bordi i Transparencës rrit ndjeshëm çmimin e naftës

Shkruar nga Pamfleti
Bordi i Transparencës rrit ndjeshëm çmimin e naftës

Bordi i Transparencës ka vendosur sot që të rrisë ndjeshëm çmimin e naftës. Bordi e ka çuar çmimin me pakicë të naftës në 245 lekë. Kjo është rritja më e madhe që kur ky bord ka nisur të funksionojë. Në vendimin e fundit të datës 1 tetor, nafta ishte ulur në 223 lekë për litër.

Me rritje është dhe benzina, që do të tregtohet me 204 lekë, nga 198 lekë që ishte në vendimin e 1 tetorit. Gazi do tregtohet 77 lekë për litër nga 78 lekë që ishte.

Bordi justifikohet me argumentin se ka një rritje të çmimit në bursë.

Bordi i transparencës që ne krijimin e tij i është përmbajtur me përpikëmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatoreve. Ministria e Financës ndjen detyrimin të sqaroj opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës. Theksojmë se Bordi nuk cakton çmimet e naftës Bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ. Bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative. Pra, vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetëm me ndryshimet në bursën Platts të Mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit. Gjithë elementët e tjerë që formojnë çmimin janë fikse dhe për këto bordi nuk merr vendim”, shprehet bordi.

Më tej bordi shprehet se Organizata e vendeve eksportuese të naftës, OPEC+ vendosi të mërkurën që të ulë ndjeshëm prodhimin si reagim ndaj uljes së çmimit të karburanteve. Sipas tij, kjo masë mund të shkaktojë pasoja të ndjeshme tek ekonomia globale e cila po përjeton vështirësi dhe të rrisë çmimet për konsumatorët amerikanë, çka mund të ndikojë politikisht në zgjedhjet për Kongresin amerikan në nëntor.

Kryesore #benzina #bordi i transparences nafta