Kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson në samitin e G7 në Gjermani ka deklaruar se nuk do të mund të ishte në krye të vendeve që i kanë ofruar mbështetje për Ukrainën, nëse ata do të ishin ende në BE.
“Unë nuk mendoj se Britania e Madhe brenda Bashkimit Europian dhe brenda llojit të matricës së politikës së jashtme të përbashkët dhe politikës së sigurisë që kishim atëherë, nuk mendoj se do të ishim renditur si vendi i parë europian që armatosi ukrainasit, për t’u dhënë atyre mjetet për t’u mbrojtur kundër Rusisë.
Unë mendoj se kjo tregon për një vend që i mendon më gjatë gjërat, që mendon për botën me një perspektivë më globale dhe është ambicioz. Kjo nuk do të thotë se ne jemi më pak europianë. Ne jemi ende europianë, por mendoj se kemi një qasje më globale”, tha lideri britanik për CNN.
Kur u pyet nëse Mbretëria e Bashkuar është më mirë se sa ishte gjashtë vite më parë kur ishte ende në BE, Johnson shtoi: “Është më mirë. Më lejoni t’ju jap një shembull. Falë pozicionit që mbajtëm, ne kishim një agjenci të pavarur mjekësore që ishte në gjendje të na siguronte vaksinën e parë anti-Covid në MB.”
Në samit Boris Johnson dhe Emmanuel Macron kanë rënë dakord se lufta në Ukrainë ka ardhur në një moment kritik.
Në një përmbledhje të një takimi midis kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar dhe presidentit francez në samitin e G7, qeveria britanike bën të ditur se dy liderët kanë theksuar nevojën për të mbështetur Ukrainën për të forcuar dorën e tyre si në luftë ashtu edhe në çdo negociatë të ardhshme”.
“Presidenti Macron vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme ushtarake të kryeministrit për Ukrainën dhe liderët ranë dakord të punojnë më shumë në këtë drejtim. Kryeministri theksoi se çdo përpjekje për të zgjidhur konfliktin tani vetëm do të shkaktojë paqëndrueshmëri të qëndrueshme dhe do t’i japë Putinit ‘licencë’ për të manipuluar si vendet sovrane ashtu edhe tregjet ndërkombëtare në përjetësi.”
Zyra e Macron thotë gjithashtu se bisedimet ishin të mira dhe se Johnson tregoi entuziazëm për t’iu bashkuar “komunitetit politik evropian”, një nismë e sugjeruar nga udhëheqësi francez për një strukturë vendimmarrëse që pritet të bëjë bashkë shtetet anëtare të BE dhe ato që aspirojnë integrimin në union.