Bota 3 Prill 2019, 14:26

Borxhi publik rrezikon të shtyjë Kosovën drejt krizës

Shkruar nga Pamfleti
Borxhi publik rrezikon të shtyjë Kosovën drejt krizës

Borxhi publik rrezikon të shtyjë Kosovën drejt krizës

Banka Botërore në Kosovë ka paralajmëruar Qeverinë se borxhi i publik në Kosovë deri në vitin 2025, mund të arrijë vlerën deri në 30 për qind të Bruto Produktit Vendor, nëse rritja e shpenzimeve rrjedhëse vazhdon të tejkalojë rritjen e të hyrave.

Borxhi i përgjithshëm publik i Kosovës në fund të vitit të kaluar kishte arritur në rreth 1.1 miliard euro ose 17 për qind e Bruto Produktit Vendor. Nga borxhi i përgjithshëm, sipas një raporti të Ministrisë së Financave, rreth 700 milionë euro i takonë borxhit të brendshëm, kurse më shumë se 400 milionë euro i përket borxhit ndërkombëtar.

Borxhi publik në Kosovë ndër vite ka shënuar rritje. Në vitin 2014, vlera e borxhit të përgjithshëm ka qenë 582 milion euro, kurse tri vjet pas, në vitin 2017 kjo vlerë ka arritur në rreth një miliard euro.

Rrezikun nga ngritja e shpejtë e borxhit të përgjithshëm publik e theksojnë edhe ekspertë të çështjeve ekonomike. Shqetësues, sipas tyre, është fakti se rritja e borxhit publik mund të rezultojë nga faturat e pagave, transfereve dhe skemave sociale.

Lekë Musa, ish drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se nga koalicioni qeverisës aktual, por edhe nga qeveritë e kaluara, është rritur tendenca e keqpërdorimit të mjeteve buxhetore për arsye politike dhe partiake. Dhe nëse një situatë e tillë vazhdon, sipas tij, kriza buxhetore është e pashmangshme dhe e vetmja mundësi mbetet huamarrja përmes borxheve ndërkombëtare.

“Dhe këtu gjithsesi do të kenë efekt negativ, për arsye se me largimin e një lloji mbikëqyrjeje më strikte të qeverisjes dhe buxhetit të Kosovës, ka pas një tendencë të largimit nga disiplina fiskale, që fillimisht ka ekzistuar. Thjeshtë buxheti dhe financimet publike po keqpërdoren për nevoja partiake dhe politike dhe nëse vazhdohet kështu, kriza buxhetor është e pashmangshme”, tha Musa.

Se Kosova nuk mund të jetë imun nga rreziku i rritjes së borxhit të jashtëm, thotë edhe eksperti për çështje ekonomike Naim Gashi. Ai e konsideron të papranueshme mënyrën e shpenzimeve buxhetore për paga, mëditje dhe skema sociale, çka sipas tij, mund të rrisin edhe vlerën e borxhit publik.

“Absolutisht, është e papranueshme që një ekonomi nacionale dhe një vend me Bruto Produktin Vendor që është nën 7 miliardë euro në vit, të ketë një kosto kaq të lartë për shpenzime, paga dhe për projekte sociale, këtu bëjnë pjesë edhe veteranët e luftës dhe skemat të tjera enorme të cilat ekonomia e Kosovës me nivelin aktual të zhvillimit do të mund të përballojë”, tha ai.

“Ajo që vazhdimisht Banka Botërore insiston më të drejtë është që të ulen shpenzimet për paga dhe skema sociale dhe rritjen e investimeve kapitale të cilat gjenerojnë zhvillim dhe punësim për gjeneratat e reja”, tha Gashi.

Në raportin e Bankës Botërore të publikuar të martën në Prishtinë, thuhet se rreziqet fiskale për këtë periudhë janë Ligji i ri për pagat publike dhe rritja e shpenzimeve të pashënjestruara për mbrojtje sociale. Deri në vitin 2025, sipas raportit, borxhi publik dhe garancionet mund të arrijnë 30 për qind të Bruto Produktit Vendor nëse rritja e shpenzimeve rrjedhëse vazhdon të tejkalojë rritjen e të hyrave.

Në Ligjin për borxhet publike në Kosovë thuhet se në asnjë rast shuma e papaguar e borxhit të përgjithshëm, nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Naim Gashi thotë se institucionet kompetente, mund të vendosin që të hyjnë në borxhe të jashtme për projekte që sigurojnë fitim dhe vende të reja të punës.

“Ajo çka unë mendoj është se borxhi publik duhet të bazohet në të hyrat që kanë përfitime afatgjate edhe ekonomia edhe qytetarët, siç janë projektet kapitale, ndërtimi i ujësjellësve, i termocentraleve, sistemeve te ujitjes, hekurudhave, aeroporteve ku përfitimet janë afatgjate”.

“Ndërsa nëse hyhet në projekte në të cilat përfitimet janë afatshkurta, ato paraqesin rrezik për një ekonomi nacionale dhe paraqesin rrezik për gjeneratat e ardhshme të cilët do të duhej t’i shlyejnë faturat të cilat i krijon shteti aktualisht”, shprehet Gashi./REL

Rajoni Banka Botërore në Kosovë borxhi publik Kriza Lekë Musa