Bota19 Prill 2024, 17:12

Njëqind lëvizje separatiste aktive, cilat rrezikojnë ta trazojnë Evropën?

Shkruar nga Mick O'hare

 Njëqind lëvizje separatiste aktive, cilat rrezikojnë ta

Përveç atyre që kërkojnë pavarësi, transferim kompetencash apo më shumë autonomi janë grupime etnike që dëshirojnë të bashkohen (ose të ribashkohen) me një komb tjetër me të cilin ata besojnë se kanë lidhje farefisnore. Për shembull hungarezët në Rumani ose shqiptarët në Kosovë.

Bob Buxton flet me pasionin e një njeriu që beson se ka ardhur momenti i tij dhe i njerëzve që përfaqëson. “Ne jemi të përgatitur të luftojmë për atë që mendojmë se është e drejtë. Dhe ne jemi kokëfortë. Jemi lënë pas dore prej kohësh dhe duam një zë në vendimmarrje”- thotë ai.

Buxton, 44 vjeç, duket sikur po citon një fjalim të ish-udhëheqëses së Partisë Kombëtare Skoceze, Nicola Sturgeon, apo po lexon përkthimin e një deklarate të separatistëve katalanas. Në fakt, ai po flet për rajonin e Yorkshire në Angli. Kreu i përbashkët i partisë me emrin e qarkut të tij vazhdon: “Ka një mungesë të llogaridhënies demokratike”.

Partia e Yorkshire është një nga rreth 100 lëvizjet separatiste aktive në Evropë me nuanca dhe me kërkesa të ndryshme. Ajo ka shumë homologe në Angli. Fushata si “Cumbria e Para”, Aleanca e Devonit Lindore dhe Mebyon Kernoë (që e konsideron rajonin Cornwall si një komb të veçantë kelt) bëjnë fushatë përgjatë linjave të ngjashme.

Sigurisht, Yorkshire ka qenë prej kohësh homologia e Anglisë me Bavarinë apo Teksasin, një entitet rajonal që nuk synon të heqë dorë tërësisht nga një komb më i madh. “Pavarësia do të ishte një akt i çmendur”- këmbëngul Buxton, që thekson se ajo është pjesa më e mirë e saj.

Partia e Yorkshire bën fushatë për decentralizim për qarkun më të madh të Anglisë dhe është anëtare e Aleancës së Lirë Evropiane (EFA), që përfaqëson partitë politike progresive me pretendime separatiste.

Buxton thotë se as Partia e Yorkshire dhe as Mebyon Kernow, anëtarë të EFA-s, nuk kërkojnë pavarësi të plotë, në dallim nga SNP apo grupime të tjera separatiste në të gjithë Evropën. Shumëkush i mban mend nacionalistët katalanas që bënë bujë në media pas zgjedhjeve të parakohshme në Spanjë në vitin 2023.

Pati negociata të vështira kur kryeministri Pedro Sánchez u përpoq të formonte një qeveri. Sepse në lojë hynë edhe 7 mandatet e mbajtura nga nacionalistët e linjës së ashpër Junts per Catalunya (Së bashku për Katalonjën), lideri i të cilëve Carles Puigdemont është në mërgim pas organizimit të një referendumi për pavarësinë e Katalonjës në vitin 2017, i konsideruar i paligjshëm nga qeveria spanjolle.

Tani qeveria e Sanchez po ofron amnisti për Puigdemont dhe aleatët e tij. Aktualisht, ky i fundit synon të kandidojë në zgjedhjet e këtij viti edhe duke vazhduar të qëndrojë në mërgim. Sigurisht, katalanasit janë një nga lëvizjet separatiste evropiane më penguese. Më të shquarit - si Plaid Cymru, Lega e Italisë (ish-Lega Nord) dhe Partia Nacionaliste Baske - bëjnë shpesh bujë në media për fushatat dhe protestat e mëdha.

Të tjerë bëjnë lajm nëpërmjet mjeteve më flagrante. Në rajonin bask të Spanjës, Euskadi Ta Askatasuna (ETA), zhvilloi një fushatë të armatosur për dekada me radhë kundër shtetit spanjoll, e cila përfundoi vetëm në vitin 2010. Ngjashëm, deri në vitin 1997 në Irlandën e Veriut, IRA synoi që t’i jepte fund sundimit britanik atje përmes aktivitetit paraushtarak që shkaktoi qindra të vdekur.

Të gjitha këto organizata nuk janë veçse ‘maja e një ajsbergu’ të madh separatist që shkakton të çara në pothuajse çdo komb evropian. Për shembull, kush i ka marrë parasysh pretendimet e Partisë Kombëtare Friziane, Listës së Unitetit në Austrisë apo Ilinden-Pirin, Organizata e Bashkuar Maqedonase që bën fushatë pro maqedonasve etnikë në Bullgari?

Disa kërkojnë pavarësi të plotë, të tjerë transferim kompetencash. Shumica duan thjesht më shumë autonomi. Po çfarë i motivon ata? Pse ndryshojnë qëllimet e tyre? Philip Steinberg, profesor i gjeografisë politike në Njësinë e Kërkimit Ndërkombëtar të Kufijve në Universitetin Durham, thotë: “Në shumë raste, motivimet nuk janë të drejtpërdrejta. Për shembull, disa lëvizje kërkojnë shtetësinë e plotë, ndërsa të tjerat e përdorin ndjekjen e kësaj çështje për të nënkuptuar se ekzistojnë. Në këto raste, marrja e kompetencave të një shteti sovran mund të mos jetë aq e rëndësishme”.

Nga ana tjetër John Breuilly, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës, i ndan këto lëvizje më shumë sipas objektivave sesa motivimeve. “Unë sugjeroj që këto objektiva të shihen si një hierarki. Në krye është formimi i një shteti sovran kombëtar, në fund janë lëshimet rajonale që variojnë nga autonomia lokale deri tek pozicionet e garantuara në qeverinë qendrore. Shumë prej tyre mund të analizohen sa i përket pozicioneve të negociatave të cilat mund të ndryshojnë në varësi të asaj që është e arritshme”.

Por ka edhe dallime gjeografike dhe historike. “Në Evropën Perëndimore, mund të identifikojmë të tilla: ekonomike dhe kulturore. Ekonomikisht ka dallim midis asaj që dikush mund t’i quajë lëvizje “të pasura” dhe “të varfra”- thotë Breuilly. E para mund të përfshijë Aleancën e Re Flamane të Flandrës, e cila beson se varfëria e pjesës tjetër të Belgjikës e dëmton përparimin e këtij rajoni.

Anasjelltas, Mebyon Kernow kërkon më shumë investime në Cornwall, një nga rajonet më të varfra të Anglisë. Në shekullin XXI-të, argumente të tilla ekonomike kanë zëvendësuar kryesisht dhunën që dikur ishte shenjë dalluese e organizatave të tilla si ETA. Si Aleanca e Re Flamande edhe Lega në Italinë veriore kanë kërkuar shkëputje nga rajonet më të varfra të kombeve të tyre.

Breuilly beson se separatistët në Evropën Lindore kanë motive të ndryshme. “Në Evropën ish-komuniste, ku shpërbërja e shtetit i parapriu lëvizjeve separatiste, kauzat separatiste kanë të bëjnë më shumë me fuqinë politike dhe ushtarake sesa me kulturën”- vëren ai. 

Nëse përjashtohet Rusia, e cila për shkak të madhësisë dhe politikës së saj, është shtëpia e shumë grupeve separatiste, bazuar në anëtarësimin në EFA, Italia, Franca dhe Spanja kanë më shumë lëvizje separatiste, nga 7 secila. Në total, EFA përfaqëson pothuajse 50 organizata në 19 vende.

Përveç atyre që kërkojnë pavarësi, transferim kompetencash apo më shumë autonomi janë grupime etnike që dëshirojnë të bashkohen (ose të ribashkohen) me një komb tjetër me të cilin ata besojnë se kanë lidhje farefisnore.

Për shembull hungarezët në Rumani ose shqiptarët në Kosovë. Të gjithë kanë një gjë të përbashkët: besimin se gjendja e tyre do të përmirësohet duke kontrolluar punët e tyre, qoftë për shkak se janë të shtypur, të keqkuptuar. Po çfarë ndodh me të ardhmen më këto lëvizje? Ekspertët thonë se shtetet janë përgjithësisht të kujdesshëm ndaj shteteve të tjera që ndryshojnë kufijtë e tyre. Pasi kjo do të krijonte një precedent për lëvizjet e tjera për pavarësi që gjallojnë brenda tyre. Identiteti rajonal ka rëndësi për shumë njerëz të çfarëdolloj bindjeje politike. Ndoshta shteti-komb është këtu për të qëndruar. Ndërsa gjërat mbeten kështu, do të ketë gjithmonë grupe individësh që për mirë a keq, do të preferonin të banonin në një shtet tjetër./Përshtati Pamfleti nga “The New European”

Marrë me shkurtime

lëvizje seperatiste evropa trazira