
Botërori i Klubeve, skuadra më e titulluar me një histori të përgjakur sfidon Realin e Madridit në gjysmëfianle
Reali i Madridit ka marrë rrugën drejt Marokut, ku nesër në mbrëmje do të përballet me Al-Ahlin në gjysmëfinalen e dytë të Botërorit të Klubeve. Al-Ahli është një klub egjiptian, klubi më i titulluar në Afrikë, me 10 tituj kampionë të këtij kontinenti, 5 më shumë se ndjekësi i vetë më i afërt, Zamaleku, si dhe klubi më i titulluar në Egjipt me 42 tituj.
Disa nga tifozët e Al-Ahlit vetëproklamohen si klubi më i titulluar në botë edhe pse kjo nuk është e vërtetuar zyrtarisht. Në 116 vite histori, tifozët e Al-Ahlit besojnë se klubi i tyre ka fituar më shumë se 140 trofe, teksa në faqen zyrtare të Al-Ahlit në internet, flitet për 105 trofe të ndryshëm mes kampionatit egjiptian, Kupave, Superkupave dhe trofeve të ndryshëm kontinentalë. Për numrin e madh të trofeve të fituar, nga Konfederata Afrikane është shpallur “Klubi afrikan i shekullit XX”.
Po ashtu, ai është klubi më i titulluar në futbollin afrikan, me 24 trofe kontinentalë. Kjo ka bërë që ai të njihet me nofkën “Mbreti i Afrikës”. Por historia e Al-Ahlit është e larë me gjak. Ajo nuk mund të shpjegohet pa tragjedinë e Port Side (Port Sajd) më 1 shkurt 2012. Askush nuk mund ta harrojë në klub apo në qytet, Kairo gjithashtu kurrë nuk do t’ia falë.
Tragjedia u konsumua në Port Side në takimin e kampionatit egjiptian mes Al-Ahlit dhe Al-Masrit. Gjatë takimit, një përleshje mes tifozërive rezultoi në një tragjedi, që la pas 74 të vdekur (72 tifozë të Al-Ahlit, një të Al-Masrit dhe një polic) dhe më shumë se 1 mijë të plagosur. Pak vite më vonë, Gjykata Supreme e Egjiptit dënoi me vdekje 10 organizatorët e tragjedisë. Që nga ajo ndeshje, dyert e stadiumit në Port Side u mbyllën.