Kosova10 Janar 2023, 09:20

“Boti shqiptar”/ Deklarata e Vuçiç ndaj ish-kreut të misionit në Kosovë, reagon ashpër DASH

Shkruar nga Pamfleti
“Boti shqiptar”/ Deklarata e Vuçiç ndaj ish-kreut

Departamenti amerikan i Shtetit për Evropën dhe Azinë ka kritikuar deklaratën e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç ndaj Edward Joseph-it, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins dhe ish-kreu i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

DASH shprehet se nuk ka vend në shoqëritë demokratike për taktika të pista kundër qytetarëve, sikurse ato që janë përdorur ndaj Edward Joseph-it.

Po ashtu DASH shtoi se zërat e pavarur dhe organizatat e shoqërisë civile promovojnë llogaridhënien dhe transparencën.

“Ne vlerësojmë ata që ndërtojnë shoqëri paqësore në Ballkanin Perëndimor”, tha DASH-i.

Ky postim në Twitter u shoqërua me një fotografi të Josephit me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar.

Më 30 dhjetor, gjatë një paraqitjeje në televizionin Prva, Aleksandar Vuçiç, e quajti Edëard Josephin, – ligjërues në Universitetin Johns Hopkins dhe ish-kreu i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë “bot shqiptar” lidhur me atë që Joseph kishte deklaruar një ditë më parë në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë.

Duke e quajtur “bastard” Josephin, Vuçiç po ashtu deklaroi për televizionin serb se ky ekspert i Ballkanit merr “shumë para nga lobi shqiptar”.

Presidenti serb nuk ofroi dëshmi për këto pretendime.

Reagimi i Joseph

Joseph duke folur për barrikadat e ngritura nga një grup i serbëve lokalë në veri të Kosovës, që bllokuan rrugët për pothuajse tri javë, tha se Vuçiç po manipulonte Shtetet e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian.

Ai po ashtu u shpreh se qetësia në Kosovë, pas heqjes dorë nga barrikadat, do të zgjasë deri kur Aleksandar Vuçiç të vendosë se i duhet një krizë e re në Kosovë”.

Pas akuzave të Vuçiçit, Joseph shkroi në Tëitter se ato janë “krejtësisht të rreme” sa i përket lidhjeve të pretenduara financiare mes tij dhe “lobit shqiptar”.

“Alekskandar Vuçiç nuk ka dëshmi për t’i mbështetur këto akuza serioze sepse lidhje të tilla nuk ka dhe nuk ka pasur asnjëherë. Qëndrimet e mia janë produkt i dhjetëra viteve në terren në të gjitha konfliktet në Ballkan, përfshirë edhe vitet e luftës”, shkroi Joseph.

Ai shtoi se duke e ofenduar dhe sulmuar personalisht atë, Vuçiç tregoi edhe një herë karakterin e tij.

Prishtine DASH Edward Joseph Vucic